Kryesuesit i listës së PD për qarkun e Lezhës, Mark Marku ka publikuar në profilin e tij në facebook, një video nga emisioni opinion i 6 viteve më parë, ku parashikonte fatin e gjyqit me biznesmenin Italian Francesco Becchetti në arbitrazh.
“Kjo histori a mund të mbyllet si të gjitha historitë që ka ai në arbitrazhet ndërkombëtare dhe shteti shqiptar të paguaj 180 mln euro. Kush i paguan këto taksa? Këto taksa i paguan shteti shqiptar. Dhe ai mjaft të përdor qoftë edhe deklaratën e Ramës, që e akuzon direkt pa u shpall fajtor, në arbitrazh ai fiton gjyqin se thotë ‘qeveria shqiptare po më sulmon’.
Për këtë arsye unë them që qeveria ka vepruar në mënyrë shumë të gabuar duke e personalizuar problemin, duke u nxituar.”-deklaronte Mark Marku në studion e ‘Opinion’, më 11 qershor 2015.
“Deklarata ime ditën kur Edi Rama vendosi sekuestron ndaj televizionit “Agon Channel”, i cili me vendimin e tij, i dha gjyqin Francesco Becchettit. Ky Kryeministër është i papërgjegjshëm”,- shkruan Marku bashkëngjitur videos.
Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015. Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, e dënoi Shqipërinë në Prill të vitit 2019 me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”.