Facebook tha të martën, më 6 prill se ka mbyllur qindra llogari të rreme të lidhura me një grup iranian në Shqipëri.
Llogaritë postuan përmbajtje kritike ndaj qeverisë së Iranit dhe mbështetëse të Muxhahedin-e-Khalq, një grup disident i njohur si MEK. Në shumë raste, llogaritë e Facebook dhe Instagram përdorën emra dhe fotografi të rreme të profilit.
Facebook përcaktoi që llogaritë po drejtoheshin nga një vend i vetëm në Shqipëri nga një grup individësh që punonin në emër të MEK.
Sipas raportimeve, Facebook u ka mbyllur muxhahedinëve 128 llogari, 41 faqe, 21 grupe dhe 146 llogari në Instagram në muajin mars për shkeljen e rregullave dhe mashtrimin e të tjerëve në lidhje me identitetin dhe qëllimin e tyre në emër të një subjekti të huaj.
Rrjeti i llogarive të rreme ishte më aktiv në 2017 dhe përsëri në fund të vitit 2020, tha Facebook. Në tërësi, më shumë se 300 llogari, faqe dhe grupe në Facebook dhe Instagram u mbyllën si pjesë e veprimit të kompanisë.