Qytetarët e bllokuar në Rinas pas anulimit të fluturimeve kërkojnë zgjidhje nga shteti. Në prononcimet për gazetaren Erjola Jata ata treguan se janë njoftuar 30 minuta para nisjes për anulimin e fluturimit dhe kanë qëndruar në hotel, por se duhet të marrin një njoftim zyrtar për t’i dhënë një drejtim rrugës së tyre, pasi mund të humbasin punën dhe takime të rëndësishme. Sa i përket protestës së kontrollorëve, ata shprehen se mund të kenë arsyet e veta dhe nuk i paragjykojnë.
Qytetar 1: Kam pas dje fluturimin për Bergamo, pasi bëmë check-in e kontrolle na ndaluan. Jemi nga Kosova, e kemi pasur biletën këtu. Tani po presim një vendim. S’kemi pasur informacion nga kompanitë ajrore. Momentalisht na kanë vendosur këtu, shpresojmë që të zhbllokohet kjo situatë.
Qytetar 2: Për momentin jam pa plan. Kompania thotë rri në hotel, ndonjë informatë më të saktë nuk kemi. Fluturimin e kishim dje në orën 13:00, mbërritëm në 11:00, bëmë check-in, por u anulua.
Sa i përket protestës, kjo mund të më ndodhë dhe mua se edhe unë jam familjar dhe fëmijët i mbaj me këtë rrogë. Ata kanë arsyet e veta pse e kanë marrë këtë vendim dhe nuk kam asnjë koment negativ t’i shpreh, por që të bëhet zhbllokimi sa më i shpejtë, të na tregojnë o të shkojmë me traget, ose në Kosovë, që mos të mbetemi këtu. Unë e humb punën, kam dhe takim në Itali për dokumente familjare. E mira është një zgjidhje.
Qytetar 3: Më vdiq plaku, erdha para një jave dhe do niseshim dje që të ktheheshim në Milano. Ne erdhëm në aeroport dje dhe nuk na dha kush informacion. U bë check-in dhe të gjitha, 30 minuta përpara thonë është bllokuar. Kompania dje dërgoi një mesazh do niseni në 3 pasdite, ne ikëm në Tiranë dhe u kthyem, erdhëm këtu dhe na thanë nuk ka. Kompania na strehoi në hotel.
Të ndodhë një gjë e tillë, pa informuar më para. Kjo nuk ishte e djeshme problemi i kontrollorëve. Duhet ta shikonte shteti se ka shkaktuar shumë dëme, si në Shqipëri dhe në arenën ndërkombëtare. Shteti është i detyruar të japë një informacion zyrtar. Zyrtar deri tani nuk ka. Unë duhet të isha sot patjetër në Itali, jam i detyruar, do presim deri nga ora 1 mbase do ketë, por informacion të saktë nuk ka, jemi të detyruar të kapim linjën e tragetit. Nuk ke kujt t’i qash këtu.