Zyrtarët në Bullgari thanë se do t’i lehtësojnë disa masa për frenimin e koronavirusit, për shkak të rënies së numrit të rasteve të reja pozitive dhe të shtrimeve në spital.
Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi tha se, nga java e ardhshme, do të rihapen shkollat dhe universitetet, ashtu si edhe qendrat tregtare.
Restorantet po ashtu do të mund të shërbejnë në ambiente të mbyllura.
Ministri bullgar i Arsimit, Krassimir Valchev, tha se rreth 26 përqind e mësuesve në shkolla janë vaksinuar.
Bullgaria, deri më 8 prill, ka raportuar më shumë se 364,000 raste me koronavirus dhe mbi 14,000 vdekje.
Hungaria, në anën tjetër, njoftoi sot se do ta shtyjë rihapjen e planifikuar të shkollave të mesme deri në mes të majit, për shkak të situatës epidemiologjike.
Kryeministri Viktor Orban tha se rihapja është shtyrë për tri javë, përkatësisht deri më 10 maj.
Kjo vjen pas kërkesave të prindërve dhe mësuesve për një qasje më të ngadalshme ndaj lehtësimit të masave.
Sindikata e Mësuesve tha të enjten se nuk beson se Hungaria është gati për kthimin e nxënësve në klasa.
Ky vend ka nisur rihapjen graduale të ekonomisë më 7 prill.
Numri i rasteve ditore me koronavirus atje ka filluar të bie pas kulmit që ka arritur më 26 mars prej 11,265 të të infektuarve.
Në total, Hungaria ka regjistruar mbi 705,000 raste me koronavirus dhe afro 23,000 viktima.