Turqia i dënoi komentet e bëra nga kryeministri i Italisë, i cili e krahasoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, me një diktator dhe e kritikoi trajtimin që i është bërë presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Turqi, këtë javë.
Von der Leyen dhe shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, u takuan me Erdoganin më 6 prill. Mysafirët u çuan në një dhomë të madhe për bisedime, por atje ishin vendosur vetëm dy karrige për tre udhëheqësit. Atje u ulën dy burrat, ndërsa von der Leyen u ul në një divan të madh, larg homologëve të saj meshkuj, shkruan Rel.
Ankaraja i hodhi poshtë akuzat për shpërfilljen e von der Leyenit, për shkak të gjinisë së saj. Kryeministri italian, Mario Draghi, tha se është “shumë i pakënaqur me poshtërimin që presidentja von der Leyen ka pësuar”. Draghi gjithashtu tha se është e rëndësishme që të jetë i sinqertë me “diktatorët”.
Në përgjigje, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha se Turqia “dënon me forcë vërejtjet populiste dhe komentet e shëmtuara dhe të paarsyeshme”, të bëra nga Draghi. Michel tha se situata e krijuar ishte rezultat i “interpretimit të rreptë” të rregullave të protokollit nga shërbimet turke.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha se von der Leyen është “befasuar” nga aranzhimi, por “ka vendosur të vazhdonte, duke i dhënë përparësi substancës, përballë protokollit”.
Lidhjet midis Ankarasë dhe BE-së janë tensionuar për vite me radhë për një varg çështjesh, që përfshijnë fluksin e migrantëve dhe përpjekjen e Turqisë për gaz në Mesdheun Lindor.