Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se ekonomia e Kinës do të rritet me 8.4 për qind në vitin 2021, sipas përditësimit më të fundit të raportit “Perspektiva ekonomike botërore”, të publikuar në fillim të mbledhjeve pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore të martën.
Kjo shifër është 0.3 pikë përqindjeje më shumë se parashikimi i FMN-së në janar.
Ajo do të shënonte nivelin më të lartë të rritjes së ekonomisë kineze që nga viti 2011, sepse sipas FMN-së, “masat efektive të kontrollit, një përgjigje e fuqishme e investimeve publike dhe mbështetja me likuiditet e bankës qendrore kanë lehtësuar një përtëritje të fortë”.
Kina pati një rritje të PBB-së prej 2.3 për qind në vitin 2020, duke u bërë e vetmja ekonomi e madhe në botë që u rrit vitin e kaluar.
“Midis tregjeve të reja dhe ekonomive në zhvillim, Kina ishte tashmë kthyer në nivelin e PBB-së para COVID-19 në vitin 2020, ndërsa shumë ekonomi të tjera pritet ta arrijnë një gjë të tillë vetëm në vitin 2023”, tha FMN-ja, duke theksuar se parashikimi i saj për Kinën është shumë më i lartë sesa për ekonomitë e tjera kryesore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Francën, edhe pse më i ulët se parashikimi për Indinë.
Ekonomia e dytë më e madhe në botë ka përcaktuar si objektiv një rritje të PBB-së mbi 6 për qind për vitin 2021, ndërsa rimëkëmbja e saj vazhdon të përshpejtohet.