Policia njoftoi se ka shpallur në kërkim 41-vjeçarin, Edmond Stojani, i cili kishte kthyer një magazinë të marrë me qira, në një ambient të përshtatur si laborator që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike.
Mësohet se Stojani është drejtor i Kadastrës në Kurbin. Ndërsa, një ditë më parë, policia vuri në pranga 21-vjeçarin, Vranicki Hisku.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Fushë Gjormë, Kurbin, kishin përshtatur katin e dytë të një magazine të marrë me qira, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 205 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa të kultivuara në vazo.
Gjithashtu, gjatë kontrollit, në ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.
Sakaq në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, bidonë me lëndë ushqyese për bimët narkotike.
Po gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Vranicki Hisku është gjetur dhe sekuestruar dhe një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar.
Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.