Pak ditë më parë ‘Zëri i Amerikës’ njoftoi se Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në Uashington ka dhënë vendimin përfundimtarë pas apelimit që Shqipëria do t’i paguajë biznesmenit italian, Françesko Beketi, plot 110 milion euro, pa llogaritur kamatat dhe shpenzimet e tjera të procesit dhe studiove avokatore të palëve.
Ky ishte sipari i një vendimi të mëhershëm rreth një vit më parë, po nga e njëjta gjykatë.
Këtë vendim qeveria shqiptare e mbajti të fshehtë, ndërkohë që bëri dhe një përpjekje për të fituar kohë duke kërkuar që të anulojë një pjesë të vendimit. Mungesa e transparencës ishte në atë gradë, sa që edhe kërkesat e presidentit dhe medias për informim ngelën pa përgjigje, e madje edhe u tentua për një mashtrim.
Nga institucioni i Avokatisë së Shtetit, nga Qeveria apo Ministria i Financave nuk u mor kurrë një përgjigje për situatën e procesit, se sa ka harxhuar shteti shqiptar për pagesat e avokatëve apo sa ka qenë kosto e detyrimit për procedurat e kërkesës për anulim, duke shkelur çdo detyrim për transparencë e ligj informimi.
Gjithsesi në datën 2 prill të këtij viti gjithçka u mbyll dhe tashmë taksapaguesit shqiptarë, duhet të paguajnë shumën prej 110 milion euro, pa llogaritur këstet prej 1 milion euro në tremujor nëse kryeministri Ed Rama vazhdon të refuzojë dhe pranojë këtë verdikt të pakthyeshëm.
Sipas vendimit të fundit të gjykatës së arbitrazhit në Uashington, duket se trupa gjykuese e ka pasur shumë të lehtë marrjen e një vendimi në favor të Beketit dhe në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.
Kjo sepse kryeministri Edi Rama ishte investuar personalisht në këtë çështje duke lëshuar deklarata publike, përpara se të flisnin gjykatat.
Historiku i ngjarjes, ndërkohë na dëshmon se kryeministri në këtë operacion tipik për vendet autokratike, ka përfshirë edhe shumë agjenci shtetërore, që nga tatimet, policia, KESH, drejtësia, etj.
Nëse me dhjetëra funksionarë, prokurorë, gjykatës, policë, tatimorë nuk do kishin pranuar të shkelnin ligjin pavarësisht nga papërgjegjshmëria dhe oreksi i kryeministrit për t’i mbyllur gojën dhe rreshtuar nën hyqmin e tij, Agon Channel, atëherë shifra e frikshme prej më shumë se 110 milion euro do të ishte në dispozicion të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë dhe jo të Beketit, i cili me këtë rast ka njoftuar se do të blejë ekipin e Evertonit.
Kjo është arsyeja që drejtësia e re e ka të thjeshtë për të gjetur fillin dhe vënë përpara saj në mënyrë nominale, autorin e këtij dëmi të frikshëm financiar për një vend të varfër si Shqipëria.
Kujtojmë se gjithçka nisi pas një sulmi të paprecedentë e të papërgjegjshëm të kryeministrit Edi Rama dhe Erion Veliaj, ministër në atë kohë, kundër televizionit, pronarit dhe gazetarëve që punonin aty.
Erion Veliaj fillimisht nuk e kapërdiu dot demaskimin që i bëri televizioni “Agon” 2 dasmave të tij mbretërore, duke vënë në dispozicion të vetes si ministër, edhe kalanë e Gjirokastrës.
As Rama nuk mund të pranonte që vetëm pak kohë pasi kishte ardhur në pushtet të dëgjonte disa të vërteta, nga një media e cila refuzonte t’i nënshtrohej siç bënë gati të gjitha të tjerat, menjëherë pasi u ul në karrigen e kryeministrit.
Atëherë u fol për sms-të kërcënuese të Erion Veliajt ndaj biznesmenit italian, të cilat duket se përfunduan si prova në gjykatën e arbitrazhit në Uashington.
Vetëm pak muaj më parë ndërkohë që avokatët e Beketit kishin nisur bllokimin e llogarive ndërkombëtare të Shqipërisë, ish-ministri socialist i financave Arben Malaj deklaroi te Blendi Fevziu, se gjoba 110 milionë që do paguajnë taksapaguesit e varfër shqiptarë për Beketin është e bazuar edhe te mesazhet e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, të cilët kërcënuan një media të pavarur.
“T’i jap unë 3 mesazhet tani të Erion Veliajt që i ka dërguar atij: mos u merr me dasmën time, mos më bë armik se unë të bëj… Në çdo gjykatë ndërkombëtare kur kërcënohet një biznes nga një politikan është menjëherë i fituar. Po këta janë kalamaqër, janë të vegjël, nuk e dinë çfarë është përgjegjësia ligjore”, deklaroi Malaj.
Pas kësaj lufte verbale, Rama, pasi nuk mundi dot ta bëjë zap Beketin, nisi edhe një operacion të paprecedentë për mbylljen e medias dhe bizneseve të tij.
Më 5 Qershor 2015 (dita e lëshimit të Vendimeve të Arresteve), Gjykata Shqiptare e Rrethit Gjyqësor Tiranë nxori Aktin Nr. 768 ‘Vendim për Sekuestrimin Preventiv të Pronave’ (‘Vendimi i Sekuestrimit’) i cili synonte të sekuestronte pjesëmarrjet e zotëruara nga znj. Condomitti, z. De Renzis dhe znj.Troplini në një numër shoqërish, duke përfshirë Agonset.
Më 8 Qershor 2015, Prokuroria urdhëroi ekzekutimin e Vendimit të Sekuestrimit dhe emëroi Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) dhe Policinë Gjyqësore për të zbatuar urdhrin (‘Vendimi për Ekzekutimin e Sekuestrimit’). Po të njëjtën ditë, Prokuroria i dërgoi një shkresë bankave në të cilën Agonset kishte llogari dhe urdhëroi bllokimin e llogarive bankare të kësaj shoqërie.
Më 10 Qershor 2015, AAPSK i kërkoi QKR/regjistrit tregtar të Shqipërisë të bllokuar kuotat e Znj. Condomitti, Z.De Renzis dhe Znj. Troplini në shoqëritë përkatëse. Po të njëjtën ditë, sekuestrimi i këtyre kuotave u regjistrua në ekstraktin e Agonset nga Regjistri Shqiptar i Shoqërive. Shënimi në ekstrakt gjithashtu theksoi se: Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara ‘[AAPSK] ka për detyrë ekzekutimin e këtij vendimi dhe administrimin e pasurive që do të sekuestrohen’.
Më 9 Qershor 2015, Kryeministri Rama deklaroi në Facebook dhe Twitter: ‘Bllokimi i burimit të parave të pista që ushqen Agon Channel, një sukses!’
Në gjysmën e parë të Qershorit 2015, Kryeministri Rama deklaroi në një intervistë në kanalin televiziv Vizion Plus: “Nuk ka turp më të madh se të bësh ‘avokatin’ e këtij kanali për hir të fjalës së lirë, kur ky kanal fiket dhe ndizet me ndihmën e parave të pista (…) Nuk ekziston një parim ku liria e fjalës ushqehet nga paratë e pista në formën e një televizioni komercial. Në këtë rast duhet të jemi të kujdesshëm, nuk ka mëshirë”.
Më 17 Qershor 2015, AAPSK shkoi në Agonset dhe sekuestroi të gjitha pajisje teknike që rezultonin në inventarin kontabël të tij.
Më 17 Qershor 2015, Kryeministri Rama u shfaq në programin ‘Opinionin’ te Tv Klan duke intensifikuar akuzat.
“Unë kam thënë ‘si një sukses’, sepse ky lloj investitori i ka shkaktuar këtij shteti dhe këtyre njerëzve dëme të pallogaritshme, me gjyqe të manipuluara dhe ndërkohë po mban peng qeverinë shqiptare me koncesionet për të cilat ai nuk ka zbatuar asnjë nga kushtet”, tha ai.
Në të njëjtin emision kreu i qeverisë, sulmoi gazetarët që i kërkonin llogari për mënyrën ekstraligjore me të cilën ai personalisht dhe institucionet shtetërore kishin trajtuar çështjen Beketi.
Kryeministri edhe pse ende nuk ishte mbyllur ndonjë hetim dhe gjykatat nuk kishin dhënë verdiktin e tyre, e akuzoi biznesmenin Italian si “pastrues parash”.
“Juve të medias t’ju vijë zor. Aty është bërë një histori e turpshme me rroga marramendëse. Je vetë dëshmitarë se të kanë propozuar rrogë më të lartë se Bruno Vespës. Është një pastrues parash. Po ju them të gjithëve që Blendi Fevziut i është propozuar një shumë më e madhe se Bruno Vespës”, tha Rama.
Po në “Opinion” Rama atëherë deklaroi se i gjithë ky operacion kundër investimeve të Beketit ishte kryer në bashkëpunim me autoritet italiane, por vetëm pak ditë më pas doli se ky pohim ishte mashtrim pas një përgënjeshtrimi nga ministria e Jashtme dhe ambasada italiane në Tiranë.
Pas këtyre sulmeve dhe verdikteve politike, më 10 Tetor 2015 studiove të Agonset Sh.p.k ju ndërpre energjia elektrike në kohën që ishte në transmetim direkt.
Më 26 Prill 2016, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë urdhëroi që Agonset të dëbohej nga studiot/ambientet e veta për shkak të pamundësisë për të paguar qiranë e tyre si pasoje e sekuestrimeve/bllokimit të llogarive të ekzekutuara ndaj tij.
Aq skandaloze ishin këto veprime të urdhëruara politikisht dhe personalisht nga kryeministri Rama, sa që Arbitrazhi Uashingtonit tejkaloi dhe kornizën e vet tradicionale, duke u shprehur si rrallëherë për një ndalim edhe të çështjes penale që kishte nisur në Shqipëri. E njëjta gjë u reflektua edhe në vendimin e gjykatave angleze të cilat mohuan ekstradimin e Beketit, pas një kërkese të ministrisë së Drejtësisë dhe Interpol Tirana.
Sot jemi përpara një skandali historik dhe me përmasa të paprecedenta, të cilit ju vu vula në 2 prill të këtij viti në Uashigton.
Por këtu në Shqipëri protagonistët e tij ende nuk kanë folur, se për mbajtje përgjegjësi qoftë edhe formale duket se nuk ka asnjë gjasë.
Ndërkohë çdo ditë që qeveria shqiptare vonon likuidimin e shumës prej 110 milion euro, kjo kosto rritet me rreth 3.2% në vit. Aktualisht kjo kosto, e llogaritur më datë 31 Mars 2021 kap shifrën 118.5 Milion Euro.
Në vendimin e plotë të arbitrazhit në Uashington të cilin media Syri e disponon, duket se përveç atyre që thamë më lartë, kulmi ka qenë edhe një drekë mes Sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrisë, Engjëll Agaçit dhe biznesmenit Françesko Beketi, e cila fundosi në gjyq përfundimisht Shqipërinë.
Arbitrazhi arriti në përfundim se qeveria shqiptare e goditi televizionin e Beketit për motive politike, por edhe për llogari të televizioneve të lidhura me qeverinë.
Në fillim të vitit 2014, në një restorant të Tiranës, Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë ulet të drekojë me Françesko Beketin, biznesmenin italian, i cili në atë kohë sapo ishte vënë nga qeveria nën hetim për pastrim parash. Ndaj kjo ishte dhe tema kryesore e bisedës mes të dyve.
Biznesmeni i kërkon fillimisht krahut të djathë të kryeministrit llogari se: Përse qeveria ka nisur hetime për pastrim parash ndaj kompanive të tija?!
Por përgjigjja e zyrtarit të lartë të shtetit ishte, se biznesmeni italian, duhej të fliste me Enkelejd Jotin, në atë kohë drejtor i përgjithshëm i Top Channel.
Beketi kundërshton dhe e pyet se: Përse duhet të flas me z. Joti, i cili nuk është një zyrtar publik, por drejtori i përgjithshëm i një televizioni privat?
Pas kësaj vjen edhe fjalia fatale e Agaçit, e cila zbërthen komplet mënyrën se si ka qeverisur Edi Rama në këto 8 vite: Nuk është ide e mirë t’i bësh opozitë shtetit!
Ky dialog i dëshmuar nga biznesmeni italian Françesko Beketi në Uashington ishte një nga tre provat kryesore që fundosi Shqipërinë dhe i pa përgënjeshtruar nga pala që mbronte Shqipërinë.
Nëse citojmë thelbin e vendimin përfundimtarë të arbitrazhit në SHBA atëherë kuptojmë jo thjesht arsyet e dëmin prej 110 milion euro në kurriz të shqiptarëve, por sidomos thelbin, fytyrën e vërtetë të qeverisje së Ramës, apo më saktë të regjimit të tij:
“Që në fillim të hetimeve për pastrim parash, një përfaqësues i qeverisë i tha zotit Beketi në mënyrë eksplicite se duhet të fliste me një nga konkurrentët e tij, nëse dëshironte të kuptonte se pse investimet e tij ishin nën hetim, dhe që nuk ishte një ide e mirë t’i bënte opozitë shtetit. Hetimet kriminale ndaj kompanive të z. Beketi u filluan nga një qeveri, e cila ishte e afërt me konkurrentët e tij, operatorët ekzistues të stacioneve televizive, kundër një stacioni që ishte kritik me qeverinë…Sapo dolën vendimet e konfiskimit, kryeministri Edi Rama deklaroi se lufta e tij ndaj investitorëve si paditësi kishte qenë një sukses dhe shkoi më tej duke kërcënuar gjyqësorin se në një mënyrë apo tjetër ishte i implikuar në shkeljet e këtyre investitorëve”.
Ky është konstatimi i gjykatë më prestigjioze në botë për atë çfarë ka bërë e është i aftë të bëjë Edi Rama në pushtet.