Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka nisur krejt ndryshe vizitën e tij në Divjakë, ndërsa shfaqet hipur në një traktor.
Lideri demokrat teksa bashkëbisedon me fermerin, thekson se Divjaka është një zonë shumë e pasur dhe e begatë.
I ulur në kabinën e mjetit, Basha ka dëgjuar nga afër problematikat që përballet një fermer sot për shkak të mungesës të ndihmës nga shteti.
Mungesa e subvencioneve, mungesa e tregut, çmimi i shtrenjtë i karburantit janë vetëm disa nga shqetësimet që ngriti Lulzim Noreci për të treguar harresën e shtetit ndaj bujqësisë.
“Ne duhet të jemi krenar që jemi nga Divjaka, ky vend i begatë. Prodhohet, problem është shitja. Nuk kemi mbështetje nga shteti absolutisht! Po qe për subvencione, nuk flitet fare! Këtu është makabër, nuk të njeh fare. As karburant, sepse karburanti është baza jetike e një. Nuk ta njeh njeri, unë po të them kam 7 hektarë tokë që po i administroj, ore, absolutisht zero! Zero! Nuk të mbështet njeri fare, nuk do t’ia dijë se prodhon, se akoma je gjallë apo ke vdekur! Absolutisht! E gjen mundësinë ta blesh vetë? u rrit dapi dhe nitrati tani para zgjedhjeve. 1200 lekë kuintali. Çmenduri! Unë i marr tokat me qira, kam 7 hektarë toka, në rëra i kam 10’000 mijë lekë dynymi, dhe në dhera i kam 15’000 lekë dynymi. Toka jonë punohet tre herë, unë po të marr ekonomistë dhe ekonomisë i bie llogarisë, unë dal piramidë, i falimentuar!” – tha Lulzim Noreci. Basha tha se problemet e fermerëve janë të ditura tashmë dhe se qeveria nuk ka mbështetur fermerët as sa vendet e rajonit. Ai përsëriti programin e Partisë Demokratike për bujqësinë, i cili parashikon 100 milion euro subvencione për fermerët, 150 milion euro për infrastrukturën bujqësore dhe uljen e çmimit të naftës me 240 lekë.
“Unë nuk mendoj se i bëhet vonë atij për produktet e Divjakës por nuk është çështje që dua të diskutoj me ty. Ajo që dua të them është që në qoftë se Kosova me gjysmën e buxhetit të Shqipërisë arrin të japë subvencione, në qoftë se Maqedonia me një buxhet afërsisht sa i Shqipërisë jep 100 milionë euro, pse mos të japim ne? Po e the ti ku shkojnë paratë? Kjo është. Pra, me 25 prill vendimi që do marrësh është ku do të shkojnë paratë. Atje ku kanë shkuar këto 8 vite apo do vijnë për subvencione, për ndihmë për ju. Do mbështetje si në çdo vend tjetër të botës do të keni mbështetje. Subvencionet një, këto rrugët që këtu që mezi i kalon edhe këto do të jenë pjesë, do të keni 150 milion Euro në vit për infrastrukturën bujqësore. Që ne do t’i bëjmë subvencionet realitet kjo është 1000% e sigurt.
Do të shkojnë paratë tek bujqësia, do të shkojnë aty ku jeton gjysma e popullsisë. Pra Kosova e bën do ta bëjmë dhe ne realitet. Dhënia e subvencioneve, ndërtimi i infrastrukturës bujqësore, dhënia e aksesit tuaj në treg, ulja e çmimit të naftës me 240 lekë, drejtë për së drejti juve ju fusin në treg. Dhe çfarë do bëjë? Ngaqë futesh në borxh, se më the e shet nën kosto lakrën, ti do kesh fitim. Kur ke fitim ti dhe familja jote ka fitim dhe konsumatori në qytet. Kur ka fitim dhe konsumatori në qytet, fiton edhe shteti. Pra, ne sot jemi në një cikël dështimesh. Dështon ai t’ju ndihmojë ju sepse ndihmon vetëm veten e tij, dështoni ju të shisni prodhimet sepse nuk i nxirrni dot në treg, dështon familja shqiptare të sigurojë ushqim cilësor me çmim të përballueshëm. Me 25 prill ndryshimi do të jetë pikërisht kjo. Do fusim një cikël pozitiviteti. Do fitosh ti, subvencionet e tua, subvencionet që do marrësh nga shteti do të mundësojnë që produktet e tua të shiten dhe ti të dalësh me fitim, do fitojë konsumatori shqiptar sepse ti me ato subvencione do e nxjerrësh me çmim më të ulët dhe në momentin që fitojnë edhe fermerët edhe konsumatorët, ka fituar dhe shteti. Ky është ndryshimi i dashur. Prandaj, të ftoj me 25 prill, të gjithë masivisht për ndryshimin që është për ju.” – tha Basha.