Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në Athinë, në Greqi, pasi një gazetar i kronikës së zezë është ekzekutuar nga dy persona ende të paidentifikuar.
Gazetari, George Karaivaz, u ekzekutua para shtëpisë së tij sapo ishte kthyer nga një emision ku kishte qenë i ftuar.
Menjëherë sapo zbriti nga makina, për të hyrë më pas në shtëpinë e tij, ai është ekzekutuar nga dy persona, të cilët janë afruar me një skuter dhe nuk kanë qenë të maskuar, për të mos rënë në sy. Dyshohet se arma e përdorur prej tyre është pistoletë me silenciator, pasi fqinjët dhe familjarët e tij kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar krisma.
E tmerruar nga ngjarja e rëndë, gruaja e George doli nga shtëpia në rrugë, menjëherë pasi mjeku ligjor kishte përfunduar hulumtimin në terren dhe makina e funeralit mbërriti për të marrë kufomën e burrit të saj.
Teksa qante me ngashërim dhe e shoqëruar nga dy persona që e mbanin, gruaja shkoi në vendin ku George Karaivaz la frymën e fundit.
Çifti kishte një fëmijë dhe njerëzit e afërt kanë nxituar për t’i mbështetur ata në orët më të vështira të jetës së tyre.