Materiali i ri video-fotografik që është siguruar nga autoritetet greke zbulon dy autorët e ekzekutimit të gazetarit të kronikës, George Karaivaz. Ngjarja e rëndë ndodhi të premten pasdite, jashtë shtëpisë së tij në Alimos.
Nga video, por edhe fotoja që është e vetmja provë e pastër deri më tani që Policia ka në duar dalin të dhëna të reja. Sipas të dhënave të zbuluara më herët nga protothema.gr, shoferi i motorit tip Beverly-it të zi ka këto karakteristika: Ai është i shkurtër, mban një kokore të bardhë me xham të errët, një xhaketë të zezë, xhinse dhe këpucë.
Pasagjeri dhe ekzekutuesi i gazetarit është më i gjatë në trup, mban veshur pantallona ushtarake blu të errëta, xhaketë me kapuç, këpucë të errëta, kapele të zezë dhe maskë të zezë për koronavirusin. Ata arritën në vend dhjetë minuta para gazetarit dhe pritën që ai të parkonte makinën për të zbritur dhe për ta ekzekutuar më pas atë.
Në informacionin që ka siguruar policia thuhet se nga lëvizjet e autorëve duket se dikush i njofton se makina e gazetarit po afrohet. Tani ajo që mbetet për t’u konstatuar nga oficerët e Policisë Greke është nëse kishte bashkëpunëtorë në krim.
Sipas raporteve, oficerët që morën përsipër çështjen e dinë rrugën e tyre të arratisjes pas vrasjes. Gjithçka tregon se kjo ndodhi përmes Rrugës Granikou dhe nga Rruga Papandreou ata u drejtuan drejt Ano Kalamaki.
Nga atje, hetimet e autoriteteve për pjesën tjetër janë në proces, si dhe nëse ata e lanë motoçikletën diku dhe ndryshuan automjetin, me të cilin ata shkuan në destinacionin e tyre përfundimtar. Oficerët e Departamentit të Krimeve kundër Jetës nuk përjashtojnë faktin se ekzekutorët e gazetarit kanë vajtur në Greqi nga jashtë. Kjo do të thotë se ata mund të jenë ekzekutorë të “paguar” që vendosin “nënshkrimin” e tyre në kontratën që kanë bërë për vdekjen e George Karaivaz.