Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi një ditë më parë të lehtësojë masat duke zgjatur orën e qarkullimit deri në 22:00 me argumentin se është ulur ndjeshëm shkalla e infeksionit, në të njëjtën kohë edhe shtrimet në spital.
Por ky vendim nuk ishte i beftë, ndryshimi i orës policore u paralajmërua disa ditë më parë nga Kryeministri Rama, i cili e lidhi këtë vendim para së gjithash me nisjen e muajit të Ramazanit për besimtarët myslimanë. Kjo zgjatje orari do të lejojë grumbullimet në xhami dhe me sa duket efekti i fushatës është më i madh sesa pesha e pandemisë.
Kështu, duke filluar nga sot dhe së paku për një periudhë dyjavore, ora policore do të fillojë kur akrepat të kenë shënuar 22:00. Ndërkohë që prej kësaj së hëne do të rinisin edhe fluturimet me Anglinë të pezulluara që prej fundit të vitit që shkoi. Ndërkaq, duke folur për procesin e vaksinimit, Manastirliu tha se ka vijuar vaksinimi i moshave mbi 65 vjeç dhe sot do të vijojë mbi 60 vjeç, duke u regjistruar pranë mjekut të familjes.