Partia Agrare Ambientalist e Agron Dukës kërkon që të vaksinohen kundër koronavirusit personat me aftësi të kufizuara.
Mes të tjerash, Duka thekson se “Ky është një detyrim human, ligjor dhe kjo është një përvojë ndërkombëtare”.
Deklarata e plotë e PAA:
LRA pas takimit me kërkesë të tyre të fondacionit “Së Bashku”, organizatë kjo në mbrojtje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe aktivistë me aftësi të kufizuar nga Durrësi, mbështet plotësisht kërkesën e tyre dhe apelon publikisht që vaksinimi prioritar i personave me aftësi të kufizuara të fillojë sa më parë.
Ata argumentuan se në vendin tonë ka nisur vaksinimi masiv prej gati dy javësh por Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duket se nuk ka një plan të qartë vaksinimi për këtë grup social me vështirësi të jashtëzakonshme dhe sfida tepër të vështira në jetën e përditshme të tyre dhe të familjeve të tyre.
Përveç grupmoshave mbi 75 vjeç dhe së fundmi mbi 65 vjeç po vaksinohen mësues, punonjës të policisë dhe gazetarë pavarësisht moshës. Personat me aftësi të kufizuar nuk po fillojnë vaksinimin edhe pse organizatat e tyre i janë drejtuar me letra Ministrisë së Shëndetësisë, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ministria e Shëndetësisë ka neglizhuar fakte shumë të rëndësishme të këtij grupi, ku disa nën grupe janë tejet të rrezikuar. Për shembull personat që marrin shërbimin e dializës, personat që nuk lëvizin nga shtrati, personat që trajtohen për sëmundje kancerogjene, personat me Sindromën Down, etj.
Aftësia e kufizuar shpesh është ose rezultat i një ose disa sëmundjeve kronike ose shoqërohet me disa të tilla. Shumë prej tyre kanë vështirësi me frymëmarrjen, sëmundjet e zemrës, veshkave etj. dhe kanë imunitet më të ulët se pjesa tjetër e popullsisë. Personat me aftësi të kufizuar nuk mund të ruajnë distancën për shkak se ata varen nga të tjerët për shërbime jetësore të përditshme dhe kjo gjë i ekspozon ata ndaj një rreziku më të lartë.
Personat me aftësi të kufizuar jetojnë në qendra rezidenciale apo marrin shërbime në qendra ditore/komunitare ku janë edhe më të ekzpozuar ndaj infektimit. Duke pasur parasysh gjëndjen dhe rrezikun që i kanoset komunitetit me aftësi të kufizuar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet të veprojë në mënyrë të menjëhershme dhe jo të vazhdojë të neglizhojë këto kërkesa jetike të cilat në vende të tjera të botës janë trajtuar si grup prioritar.