Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u është drejtuar me një mesazh të gjithë besimtarëve myslimanë për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, duke u uruar agjërim të lehtë dhe të pranuar.
“Nga zemra uroj që lutjet e sakrifica juaj të shërbejnë për të lehtësuar dhimbjet e atyre që kanë humbur më të dashurit në këtë vit prove, të sëmurët që kanë nevojë për kujdes, të familjeve që po kujdesen për të sëmurët për kurimin e tyre, e di që ky muaj është një muaj sprove i dyfishtë, për vet gjendjen ku ndodhet vendi dhe sprovës që sjell sakrifica dhe simbolika e muajit të bekuar të Ramazanit”, tha kreu i PD.
Gjatë një komunikimi me ndjekësit në rrjetet sociale, lideri i demokratëve tha se çështjet e ekonomisë janë “tema kryesore që më ka shoqëruar gjatë këtyre javëve në takimet me njerëzit, shqetësimi kryesor i çdokujt”, teksa theksoi se në këtë fushatë elektorale, PD vjen me një plan konkret dhe jo me premtime.
“Ju e dini që ne kemi një plan konkret që do zbatohet e do bëjë të mundur që ekonomia të fillojë të lëvizë përsëri e ta marrë veten mbi të gjitha nga keq menaxhimi 8 vjecar, cmimet e rritura, të naftës e energjisë, plani ynë godet këto gabime e dështime, duke korrigjuar e futur në kursin e rritjes ekonomike në cdo sektor. Të gjithë do e gjejnë veten te paketa jonë fiskale që është hapi i parë drejt rritjes ekonomike. Kemi punuar për një program realist, i njohim, i prekim, i ndiejmë problemet tuaja, se vetëm keshtu mund të formulosh zgjidhjen e duhur, ndaj s’kemi ardhur me premtime, por me zotime e angazhime të një plani të hartuar me vite me radhë”, tha Basha.
Në fjalën e tij, Basha iu drejtua edhe socialistëve, që tha se janë ndierë të ‘goditur’ nga qeverisja e PS.
“Dua t’ju them qartë se e vërteta e demokracisë është që ndryshimi që të gjithë kërkoni në fakt e keni në dorë ju, vetëm ju mund ta bëni ndryshimin realitet. Është bashkimi i votave tuaja e vetmja mënyrë për të sjellë ndryshimin.
Në veçanti socialistët e goditur realisht ata që kanë besuar, votuar e investuar te forca e tyre politike ju them që tani është koha të bëheni të gjithë bashkë për ndryshimin që gjithsecili të marrë përgjegjësinë për të ndryshuar fatin e vet e të familjes se ndryshe nga ç’u thotë politika e ai që e mban pushtetin për 8 vite, 25 prilli s’bëhet për mua e atë por bëhet për ju të ardhmen e familjes suaj.
Kjo është pyetja që do i përgjigjeni ju me votë më 25 prill e vetmja pyetje kjo është edhe 4 vjet të tjera si këto 8 vite apo ndryshim, këtë e keni vetëm ju në dorë”.