Nga Lediana Fratari
Partia Demokratike parashikon një revolucion në sistemin e taksimit. Kryetari Lulzim Basha, është i bindur se një sistem taksimi i sheshtë do të motivojë ekonominë dhe do të çlirojë energji që do të prodhojnë zhvillim. “Unë angazhohem t’i ul taksat mbi të ardhurat personale në 9%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë lekësh, dhe po kështu të vendosim taksën 9% të fitimit mbi të gjitha sipërmarrjet shqiptare me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja” – tha Basha në prezantimin e programit ekonomik të Partisë Demokratike në prag të hapjes së fushatës elektorale. Kjo do të jetë edhe shtylla kurrizore e sistemit fiskal të qeverisjes së demokratëve.
Por PD nuk është mjaftuar me ndryshimin e sistemit të taksimit. Një tjetër premtim i forte, i përfshirë në programin e tyre, është edhe ndërhyrja për të ndikuar në uljen e çmimit të karburanteve. Tregu i karburanteve është ndër më të shtrenjtët në botë sot në Shqipëri, pikërisht për shkak se këto produkte janë të ngarkuara me taksa, që çojnë automatikisht në rritjen e çmimit. PD parashikon anulimin e taksës “Rama” prej 24 lekë të reja për litër mbi karburantin.
Shqiptarët e paguajnë taksën e qarkullimit dy herë, një herë në perocesin e kontrollit teknik të automjeteve dhe një herë të bashkëngjitur me çmimin e karburantit.
Aktualisht qytetarët shqiptarë paguajnë plot 8 taksa mbi çmimin e karburanteve, çka përbën një rast të paprecedentë, jo vetëm në Evropë por edhe në shkallë globale. Në çdo litër naftë që shitet në treg, qeveria shqiptare mbledh 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë riliencimi.
Në mënyrë të përmbledhur, nëse një litër karburant shitet180 lekë, vlera e produktit është vetëm 68 lekë, ndërsa 112 lekë janë taksa, që qytetarët i paguajnë jo vetëm për qeverinë, por tashmë edhe për koncesionarët privatë. Kjo është dhe arsyeja kryesore se pse Shqipëri është në 10 vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë. Vendimi i Partisë Demokratike për të hequr taksën prej 24 Lekë është lëvizja e parë në këtë drejtim që synon uljen e çmimit të karburanteve.
Një tjetër ndërhyrje e fortë që parashikon programi i Partisë Denokrartike është edhe agazhimi për të hapur minimumi 110 mijë vende të reja pune si dhe rritja e pagës minimale në 36 mijë lek të reja në muaj. Gjithashtu, opozita parashikon edhe rritjen e pensioneve me të paktën dyfishin e normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit.
Shumë ambicioz mund të konsiderohet programi i Partisë Demokratike për bujqësinë, ku për herë të parë parashikohet një mbështetje e drejtëpërdrejtë për këtë sektor me vlerën e 150 milion eurove. Nga këto, 100 milion Euro do të jenë subvencione direkte dhe 50 milion për infrastrukturë bujqësore. Por element tjetër që kryetari i demokratëve Basha renditi, është edhe ngritja e një agjencie për promovimin e bujqësisë dhe shitjen e produkteve.
Demokratët parashikojnë në përgjithsi taksa më të ulëta dhe paga më të larta. Por, sipas Bashës kjo qasje nuk do të kijojë deficit në buxhet, pasi taksat e ulëta, sipas tij, do ti japin më shumë frymëmarrje ekonomisë, duke dirigjuar rritjen e saj.