Një ditë më parë “Lapsi.al” publikoi një lajm ku shkruante se Partia Socialiste ka përdorur të dhënat e mbi 900 mijë qytetarëve në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit.
Koordinatori IT në Partinë Demokratike, Endri Hasa, u shpreh se PD më herët ka depozituar një padi në SPAK me emër konkret, Taulant Balla, pasi merrte në telefon qytetarët e Elbasanit që marrin ndihmë ekonomike.
“Ky është një shqetësim për publikun, për të gjithë. Janë shkelur disa ligje. Kjo situatë nuk duhej të ekzistonte. Shteti ka të dhëna në çdo institucion, por kjo nuk mund të shkrihet me partinë. Partia është shkrirë me shtetin dhe shteti me partinë”, tha Hasa.
Sipas tij, ende nuk dihet se deri në çfarë pike është i strukturuar, por rasti konkret i Elbasanit është në SPAK. Hasa shtoi se shteti ka informacione për qytetarët, dhe është i detyruar që ti ruaj, jo ti përdorë për çështje politike.
“Por kemi rastin e një parti shtet, ku gjithçka që është e shtetit është edhe e partisë dh çdo gjë që është e partisë është edhe e shtetit”, vijoi koordinatori IT në PD.
“Po telefonat nga partitë politike për të bërë sondazhe për votën a duhet të lejohen? A nuk është ndërhyrje e privatësisë në votë?”, ishte pyetja që moderatorja e njohur, Sidorela Gjoni i drejtoi Hasës.
“Për aq kohë sa qytetari zgjedh për tu identifikuar apo jo, nuk ka shkelje. Është një gjë që ka ndodhur gjithmonë dhe nuk është shqetësuese. Shantazhimi i individëve për vendin e punës, ky është një problem konkret që nuk duhet të ndodhë që fatkeqësisht ndodh. Ka një serë ligjesh që e ndalojnë, kodi elektoral e ndalon. Partinë Socialiste, Rilindjen po e braktisin të vetët. Ky informacion ka dalë nga të PS dhe i është dërguar medias. Ramën po e braktisin, gjithkush po i bashkohet ndryshimit, për një qeverisje që punon për popullin dhe jo për 5 oligarkë që po pasurohen”, tha Hasa.