Kreu i PD-së Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me disa profesionistë të lirë në Njësinë 7 në Tiranë. Kryedemokrati tha se kryeministri Rama i shmanget përballjes me qytetarët dhe debatit me të, sepse ka zero bilanc në tetë vite.
“Kanë mbetur edhe 13 ditë dhe prapë se prapë ai i fshihet kësaj pyetje. Rrethohet me lloj lloj njerëzish, ngre zërin, tonet arrogancën, por nuk e fsheh dot frikën nga përballja me ju apo nga debati me mua, por mendoj që edhe përgjigjen e keni marrë edhe ju. Trim prapa xhamit dhe frikacak për t’u përballur, tregon qartë që ka zero bilanc, nuk ka asnjë përgjigje. Dhe me marifetet dhe truket që mendon se mund të shmang të pashmangshmen, vetëm vërteton atë që tashmë e di çdo shqiptar, 25 prilli është dita e ndryshimit”, tha Basha.
“Ligjet me porosi janë shenja e kapjes së shtetit. Ligjet duhet t’i porosis vetëm ai që çon ligjvënësin në parlament, që është populli. Forma më e lartë e korrupsionit është kapja e shtetit dhe ligjet me porosi. Ligjet që kalohen brenda javës, e leje ato që kalohen brenda natës, i shërbejnë një grushti njerëzish”, u shpreh kryedemokrati.