BallinaRajoniKurti e Osmani emërojnë shefin e ri të Agjencisë së Zbulimit në...

Kurti e Osmani emërojnë shefin e ri të Agjencisë së Zbulimit në Kosovë

spot_img
spot_img

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, emëruan të enjten Petrit Ajetin në postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Zbulimit të Kosovës.

Në një njoftim të zyrës së presidentes Osmani thuhet mes tjerash se shefi i ri i kësaj agjencie i lindur në tetor të vitit 1981 është i specializuar në disa programe ndërkombëtare në kuadër të zhvillimit profesional në fushën e Sigurisë dhe ka një përvojë pune 15 vjeçare në institucionet publike dhe private në fushën e sigurisë.

Petrit Ajeti është shefi i gjashtë me radhë i Agjencisë së Zbulimit të Kosovës dhe pason në këtë post ish shefin e kësaj agjencie, Kreshnik Gashi, i cili në dhjetor të vitit të kaluar u shkarkua nga detyra.

Vendimi atëbotë pasoi pretendimet se një inspektor i agjencisë kishte provuar të marrë disa dokumente nga kasaforta e presidencës më 6 nëntor 2020, një ditë pas dorëheqjes së ish presidentit Hashim Thaçi, cili ndodhet në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit.

Përpjekja, sipas zyrtarëve të presidencës, thuhet të jetë bërë në praninë e tashmë ish sekretarit të zyrës së presidentit, Driton Gashi, i cili më herët kishte shërbyer si drejtor i Agjencisë së Zbulimit.

Driton Gashi, ishte shkarkuar nga posti i shefit të Agjencisë së Zbulimit më 30 mars të vitit 2018 pas arrestimit dhe dëbimit atëbotë të gjashtë shtetasve turq, që kërkoheshin nga Ankaraja.

Në shkurt të këtij viti, Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti akuzë ndaj zotit Gashi dhe dy zyrtarëve të lartë të policisë për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “privim i kundërligjshëm nga liria”, në lidhje me arrestimin dhe dëbimin e shtetasve turq.

Ai u pasua në atë post nga Shpend Magjuni, i cili dha dorëheqje më 6 nëntor të vitit 2019 dhe u pasua nga Kreshnik Gashi, i cili u emërua në atë post më 25 nëntor të atij viti.

Agjencia e Zbulimit u themelua pas pavarësisë së Kosovës, e cila u shpall në shkurt të vitit 2008. Tre prej shefave të saj dhanë dorëheqje ndërsa dy u shkarkuan duke bërë që asnjëri të mos përmbushë mandatin deri në fund.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular