Flamur Hoxha, kandidat i Partisë Demokratike për Qarkun e Kukësit, ishte i ftuar këtë mëngjes, në emisionin “Koha për t’u Zgjuar”, në “News 24”.
Ai tregoi se Kukësit i ka mbetur ende mendësia që është një qark i varfër, ndërsa sipas tij, ky qark, është tepër i pasur, sidomos sa i përket burimeve nëntokësore. Hoxha është i mendimit, që çdo qyteti duhet dhënë ajo që i takon, e sipas tij, me burimet e mëdha nëntokësore që ka Kukësi, duhet që të përkthehet në investime për qytetarë.
Kandidati Hoxha renditi ndër problematikat e qarkut, mungesën e shkollave, spitaleve, e ndaj sipas tij, duhej investuar në këto sektorë, e jo tek aeroporti apo stadiumi që mund të investohej në një kohë të dytë. Gjithashtu ai u ndal edhe tek trau i vendosur në Rrugën e Kombit.
Sipas Hoxhës, nga vetë emri, Rruga e Kombit, ajo lidh Shqipërinë me vëllezërit tanë kosovarë, por me traun sipas tij, është vendosur një ndarje.
“Ne të gjithë jemi kontribuues, jemi bashkëkontribues që në moshën që kontribuojmë për familjen. Kam qenë me dëshirën e madhe për vendlindjen time. Bëj pjesë në kategorinë e përfshirë në protestat e dhjetorit. Kam qenë gjithmonë dashamirës për të kontribuar për kulturën, artin, por edhe sportin, asokohe kam pasur dëshirë të isha futbollist. Jam kontribuues që Kukësi të ishte pjesë e kupave të Evropës. I jam bashkuar me shumë dëshirë kontribute në letërsi. Kur je pak më mendjehapur, ndihesh më i motivuar dhe aktiv, sipërmarrja zgjerohet më shumë. Duhet të jemi pak më bashkëpunëtor dhe më i dashur me njëri-tjetrin”, tha Hoxha.
Ju keni zgjedhur të jeni bashkëpunëtor në heshtje, nënvizimet për kontributet tuaja kanë ardhur nga bashkëpunëtorët tuaj.
Flamur Hoxha: Unë i përkas atyre njerëzve që e mira të bëhet në heshtje. Mendoj që na duhet të jemi dikush që ndihemi të plotësuar brenda se sa jashtë. Këtë model duhet të ndjekim, si në përfaqësimin politik, të një modeli më ndryshe nga se ç’bëhet rëndom.
Qeveria ka financuar për rikonstruksionin e stadiumit dhe në të njëjtën kohë jemi dy ditë nga 18 prilli, ku është premtuar që do të niset aeroplani i parë në aeroportin e Kukësit?
Flamur Hoxha: Qeveria dhe kontributet duhet t’i japë në heshtje. Duhet të jemi më racional për të investuar aty ku është pjesa e padukshme dhe sado të mundohesh të investosh, që janë gjëra të mira, si aeroporti, stadiumi, por një javë para zgjedhje të flasësh për investime të tilla ku ke pasur kohë 4 vite, është mendësi e gabuar dhe jam i sigurt që s’do të japë efektet që pritet.
Ju keni ikur nga Kukësi tepër i vogël, ky rikthimi tjetër në Kukës, si e gjetët Kukësin?
Flamur Hoxha: Unë kam bërë edhe disa shkrime, Kukësi në thonjëza është e mallkuar, sepse është thënë gjithmonë Kukësi i varfër. Para Rrugës së Kombit, bëhej për 8 orë. Kukësi nuk meriton këtë mallkim, sepse është shumë e pasur, me dekada ka furnizuar Shqipërinë me energjinë elektrike. Ka qenë pjesë e burimeve nëntokësore. Unë i përkas një mentaliteti që ka të bëj me eksporti. Misioni im është thjesht një kontribuues, bashkë me disa investues, për t’i sjellë Kukësit dinjitetin. Duhet t’i japim ça i takon çdo vendi. Nëse flasim për Durrësin dhe Vlorën, që kanë detin, në Kukës ke rentën e mineraleve, ato duhet të qëndrojnë në shërbim të qytetarëve, për rininë, infrastrukturë. Ajo që unë do të mundohem është kontributi në punësim. Mendoj që me pjekurinë time në këto vite, kam shumë njohje, duke pasur një ndryshim pas 25 prillit. Shqipëria renditet një nga vendet me kosto më të larta për të bërë një biznes. Emigracioni në raport me popullsinë renditet para Sirisë. Vëmendja për të bërë të mundur Shqipërinë që cdo sipërmarrje të zgjerohet. Me politikat e duhura, mund t’i kthejmë jo vetëm Kukësit, por edhe gjithë Shqipërisë të jemi konkurrues në rajon.
Kukësi është përmendur për traun, cili është mendimi juaj?
Flamur Hoxha: Në momentin që vendoset një tra, unë mendoj se është rikthyer ajo mendësia e Kukësit të varfër. Rruga e Kombit, nuk duhet të ishte tra për të ndarë kombin, me vëllezërit tanë kosovarë. Ajo duhet të ishte me votë unanime, rrugë pa taksa. Ai tra ka kosto për cilindo.
Kukësi përmendet dhe në lidhje me Londrën, si e shikoni shpopullimin?
Flamur Hoxha: Mosha aktive mbi 18 vjeç, mbi 50% duan të largohen. Ata shohin emigrimin si të vetmen zgjidhje, kjo ka ardhur nga keqqeverisja. Në Kukës nuk ka shërbim, ajo që flitet në çdo fshat, është se duam ujësjellës, kanalizime, shkollë, mjekë. Unë nuk e kam ndarë kurrë dhe politika nuk duhet t’i ndajë në demokratë dhe socialistë. Aeroporti i Kukësit, duhet t’i shërbejë një zhvillimi që ka motiv, ekonomi. Investimi i stadiumit dhe aeroportit, duhet ishte me kohë. Akoma më shumë, se kush nga ne, është i braktisur nga llogaridhënia. Prandaj shqiptarët përfaqësohen nga një kastë politike që i përbuz. Nuk bën dialog me kryeministrin normal. Është rritur borxhi, siç u fol shumë për Lazaratin e kanabisin dhe u pa që edhe në Parlament kishte njerëz që nuk lidhen me traditën e shqiptarit. Të kërkosh mandat të tretë, me presion vote, administrate, patronazhistës, m’u votuan ato votimet 99.9% në komunizmin. Kjo që ndodhi është një fatkeqësi, duhet t’i japim Shqipërisë një mendësi të re, shqiptarët të vlerësojnë votën dhe t’i japë votën Shqipërisë Evropiane. Nga tre kushte që ishin, u bënë 15. BE të fut në Evropë nëse ke mbështetje është për të ardhur keq që ne nuk marrim fonde nga BE. Unë i them gjërat shqip e drejt.
Ju e paraqisni kandidimin tuaj si një mision qytetar, sesa politik.
Flamur Hoxha: Kam qenë tepër aktiv, i çiltër, një person që i di hallet e gjithkujt. E di çdo të thotë të mbyllësh biznesin, të vuash, kam parë familje në skamje në Kukës jetojnë me 40 mijë të vjetra. E di çdo të thotë të mos kesh spitale. Të isha unë kryeministër, s’do i jepja vlerë stadiumit dhe aeroporteve po do ndërtoja 3 spitale. Unë shoh një optimizëm me këdo që flas. Ata shohin ndryshimin si gjë imediate për veten e tyre, ftoj shqiptarët të votojnë masivisht numër 9. Të votojnë për fëmijët e tyre, punësimin, Shqipërinë drejt BE. Unë jam pjesë kërkuese në maksimum ndaj kryetarit Basha. Janë tetë vite opozitë dhe kanë mjaftuar mjaft të jemi konkret. Ambasadorja qartë haptazi bëri thirrje për të votuar maksimalisht, për ndryshimin apo kriminelët.