Fytyra e Edi Ramës ka marrë një çerre të një disfatisti ende pa ardhur 25 prilli. Për këtë vranësi që i peshon mbi fytyrë, por ato kanalet e rrudhave që i përshkojnë faqet dhe ballin, përgjegjësinë e madhe e mban kandidatura e Bujar Leskajt në Vlorë. Pse? Se termet e Ramës nuk e trondisin dot Vlorën heroike të Bujar Leskajt. Ku është Bujar Leskaj është dhe Vlora dhe ku është Vlora është dhe Bujar Leskaj.
Deklaratat nëpër cepa rrugësh si xhepist apo në ndenjëset e prapme të makinës si “eskort-eshat” me telefona se ça bën “Leskua” në Vlorë janë një klithmë të asaj koshiencës dhe bindjes së tij se në Vlorë është rikthyer një titan, për të cilën ai mbart një frikë të trashëguar që kur Bujar Leskaj drejtonte Kontrollin e Lartë të Shteti. Ministrat dhe sekretarë të përgjithshme të shpurës së hajnisë së Ramës janë kallëzuar në prokurori për vjedhje të mëdha. Korrupsioni i tij 8 vjeçar u nxor sheshit nga Bujar Leskaj. Ishte po Leskaj që denoncoi aferat e koncesioneve dhe PPV-ve. Për të mos u keqkuptuar, këtë se ka bërë prej përkatësisë së tij historike si i djathtë, se për atë punë ka çuar edhe ish-ministra të qeverisjes së djathtë, por se i ka qëndruar besnik pozicionin, Kushtetutës dhe detyrimit të shqiptarëve për transparencë mbi shpenzimet e fondeve
Mbi të gjitha, Rama i druhet Bujar Leskajt për shkak se ai e di që Bujari nuk do i vjedh, as do bëjë pazare, por sepse ai do fitojë aty ku Rama vet nuk fiton dot kurrë, tek zemrat e vlonjateve. Pikërisht, kësaj fitoreje të sinqertë i druhet më së shumti, sepse allishverishet apo pazaret me vota do i hidhen ne erë në 25 prill pasi vlonjatët votojnë me zemër dhe jo me zarfa lekësh. Dhe zemrën e tyre e ka fituar Bujar Leskaj. Është Bujari që e njeh Vlorën në çdo pëllëmbë të shtrirjes së tij gjeografike, historike dhe kulturore dhe se potenca e tij patriotike dhe përkatësia vlonjate është armatura dhe banderola ku çdo qytetar vlonjate gjen veten e tij.
Por ç’di Rama për Vlorën, ky deputet kinse vlonjat?Përveç tapetit të lungo-mares, ai nuk e di se ata që kalojnë mbi atë sixhade betoni janë në gjendje të mjeruar. Se kontrasti i investimit të lungo mares me xhepat e vlonjateve është më i thellë se kanali i Otrantos dhe se po ta gërvishtës çik atë fasadën me të cilën e ka lyer Vlorën, zbulohet një qytet i lënë në harresë. Nëse do të bëhej një sondazh, furia e takimeve elektorale të Bujar Leskajt i përngjason një referendumi lokal në Vlorë dhe e vendos këtë kandidat në vendin e parë të të gjitha partive, sa i përket organizimit, nuancave kulturore me promovime librash mbi të gjitha tek thjeshtësia e të qenit vlonjat(që përbën fisnikëri) me të cilën Bujar Leskaj takohet me çdo qytetar. Ditari elektoral i Bujar Leskajt është “lungo-marja” e vërtetë ku gjendet ky qytet dhe vlonjatet në tërësi, për të cilët në 8 vite po të marrësh fjalimet e Ramës gjen vetëm të përmendur togfjalëshin “lungo-mare” se për vlonjatët as nuk i ka përmend e as nuk i ka konsideruar.
Bujar Leskaj në Vlorë është një nga kandidaturat më të forta me të cilat prezantohet e djathta, jo vetëm kaq por triumfi i tij do të jetë vula kryesore që do të shënohet në epitafin e gremisjes politike të Edi Ramës.