“Tentativë publike për t’i prishur zgjedhjet”. Kështu e komenton akademiku Artan Fuga ftesën që kryeministri Rama i bëri Bashës për bashkëqeverisje.
Në një status në Facebook, Fuga shprehet se qytetarët kanë nevojë për opozitën e nesërme jashtë qeverisë.
Sipas Fugës, ndarja qeveri – opozitës është alfa dhe omega e demokracisë, kurse futja e të dyjave në një qeveri është një kthim në “unitetin e çelniktë të popullit rreth partisë”.
Fuga më tej argumenton se “kjo është pikërisht një thirrje që zgjedhjet dhe pluralizmin ta çosh në humnerë siç ka shkuar këto vite kur në Kuvend në vend të opozitës kishim në shumicën e rasteve, me ndonjë përjashtim, vetëm dordolecë politikë”.
Postimi i plotë i Artan Fugës
Qytetarët kanë nevojë për opozitën e nesërme jashtë qeverisë
Mua m’u duk se dje në thirrjen që kryeministri i bëri kryetarit të opozitës për t’u bashkuar në qeveri, kishte një tentativë publike për t’i prishur zgjedhjet!
Megjithë mbulimin e kësaj me gjoja dëshirën për bashkëpunim. Bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës nuk bëhet në një qeveri të përbashkët, por atëherë kur qeveria qeveris dhe opozita bën opozitën. Qeveria qeveris si duhet dhe opozita bën opozitë të fortë sigurisht konstruktive për qytetarët.
Kërkesa gjoja për bashkim midis opozitës së sotme dhe partisë që ka në dorë qeverinë e sotme, se nesër roli i tyre kjo varet nga votat tona, nën termin e bashkimit të shqiptarëve, është një mentalitet totalitar, ku nën batanijen e solidaritetit nuk ka më pastaj alternativa, kritika, transparencë.
Prandaj, ndarja qeveri – opozitës është alfa dhe omega e demokracisë, kurse futja e të dyjave në një qeveri është në rastin tonë dhe të shumicës dërmuese të vendeve një kthim në “unitetin e çelniktë të popullit rreth partisë”.
Kombi bashkohet rreth shtetit dhe jo rreth qeverisë të kujtdo partie qoftë. Asnjë përçarje nuk sjell demokracia nëse nuk ndodh si tani që partia kap qeverinë dhe shtetin. Në këtë rast përçahet kombi. Ca të nënës dhe ca të njerkës!
Prandaj e konsideroj këtë thirrje edhe si një nëpërkëmbje të ne qytetarëve. Pse?
Kanë gjashtë muaj partitë politike duke përfshirë dhe partinë e kryeministrit që përgatisin qytetarët për zgjedhje, për alternativa, pas dy vjetësh kur opozita nuk është më në Kuvend dhe në Pushtetin Lokal, dhe tani, një javë para zgjedhjeve kryeministri bën ftesë që e gjitha kjo betejë politike të quhet një hiçmosgjë. Një lojë sa për të ardhur në fakt te prishja e zgjedhjeve me anë të thirrjes për bashkimin e partive në një qeveri të përbashkët nesër.
Sepse lind pyetja: për cilin do të votojnë qytetarët nëse opozita e sotme dhe partia e sotme që ka qeverinë dhe shtetin, deklarojnë se do të jenë bashkë në qeverinë e nesërme?
Kjo është pikërisht një thirrje që zgjedhjet dhe pluralizmin ta çosh në humnerë siç ka shkuar këto vite kur në Kuvend në vend të opozitës kishim në shumicën e rasteve, me ndonjë përjashtim, vetëm dordolecë politikë.
Nëse nesër opozita dhe partia e shumicës bëjnë qeveri të përbashkët përsëri ne si qytetarë dalim të gënjyer sepse në zgjedhje pra tani na thuhet se ato janë alternativa të kundërta, ne votojmë dhe nesër sipas kësaj thirrjeve vullneti i qytetarëve që votojnë, nga të dy krahët, hidhet në kosh.
Dhe mbi të gjitha, kush do të ishte zëri i qytetarëve kritikë nesër kur nuk do të kishim më opozitë jashtë qeverisë? Kjo do të ishte një ndarje e tortës nga të gjitha partitë, një kthim pas në shtetin totalitar ku nuk do të mbetej më asgjë nga pluralizmi politik, pra nga fillesat e demokracisë të viteve ’90.
Pranda, thirrja e djeshme është e papranueshme nga ne qytetarët! Dhe duhet denoncuar si tentativë publike për të na hequr të drejtën për të zgjedhur sikurse kemi vite që na e kanë vjedhur këtë të drejtë.
Kemi një rikthim në mendësitë e totalitarizmit ku nuk ka opozitë, kurse opozita e nesërme, partia socialiste e çliruar nga skorjet totalitare, apo partia demokratike, apo kushdo parti tjetër, ka detyra të mëdha për të kryer, shumë më të mëdha sa të fusi kokën në qeverisje dhe dorën në xhepin e buxhetit të shtetit.
Pyet ndonjëri: Por, poqese asnjera nga partitë e sotme nuk fiton dot aq vende në Kuvend sa të qeverisë me koalicionin e vet? Si i bëhet? Ka një zgjidhje të thjeshtë fare: Shkojmë në votime në qershor përsëri. Derisa sita të shoshisë atë që duhet!
Ne e dimë si qytetarë si ta zgjidhim këtë çështje: Rishkojmë në votime. C’i gjeti kosovarët që votuan nja dy a tre herë në pak muaj? Asgjë! Në vend të rropateshin si ne me vite pa opzitë, me zgjedhje me një kandidat monist. U mësuan keq tani këta në pushtet dhe u duket opozitarizmi si fermë ujqish, dhe opozitarët si çakej, ujq, derra, sepse metafora idilike e totalitarizmit është e bariut që ruan delet në vathë.