Rreth orës 02:10 të mesnatës së kaluar dy automjete janë përfshirë nga flakët në lagjen “Emin Matraxhiu”, në qytetin e Elbasanit.
Sipas burimeve zyrtare, automjeti tip “Land Rover” dhe automjeti tip “Volskwagen”, në pronësi të Kujtim Kasnecit, ishin të parkuara para banesës së tij, si zakonisht, ku siç shihet nga fotot që sjell “BalkanWeb” janë shkrumbuar totalisht nga zjarri.
Ndërkohë, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Nga hetimi paraprak, bazuar edhe në pamjet e siguruara nga kamerat e shtëpisë së pronarit të automjeteve, që u dogjën, dallohen në oborrin e banesës të paktën dy persona me kapele.
Ata me bidona në duar i kanë spërkatur me benzinë automjetet dhe u kanë vënë më pas flakën. Pronari i automjeteve sapo është sinjalizuar nga fqinjët, ka njoftuar policinë dhe shërbimin zjarrfikës, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje, por fatkeqësisht zjarri i ka shkrumbuar të dyja mjetet.