UEFA, FIFA dhe jo vetëm. Themeluesit e Super League ndoshta nuk e kishin menduar se do të kishin kundër dhe në bllok zërat më të rëndësishëm të medias sportive europiane. Prestigjozja franceze “L’Equipe” flet për një “luftë të pasurish”, duke vendosur në faqen e parë rivalët: ideatorët Perez e Agnelli dhe ata kundër Al Khelaifi dhe Rummenigge.
Në të njëjtën linjë shkojnë edhe mediat italiane me në krye më të madhen sportive “La Gazzetta Dello Sport”, që i përgjigjet Superl League me një “Super Jo”.
Ajo dhe simotrat e saj përej Adriatikut nënvizojnë faktin se ky turneu i ri do të “vriste” kampionatet lokalë dhe mbi të gjitha shpirtin e futbollit.
Si gjithmonë më të drejtpërdrejta mediat angleze që shtojnë dozat. Mjafton të shohësh faqet e para që flasin për “një akt kriminal kundër tifozëve”. Ato gjithashtu nënvizojnë edhe kërcënimet e UEFA-s për të përjashtuar “rebelët” futbollit.
Më të moderuara mediat spanjolle, që janë mjaftuar me raportimin e lajmit me të gjitha reagimet, duke paralajmëruar një betejë të ashpër mes palëve.