Zyra e delegacionit të Bashkimit Europian shpërndau këto ditë një spot sensibilizues në rrjetet sociale, ku ambasadorët e vendeve perëndimore ngjajnë me ca personazhe showbizz që përkëdhelen nën dritat e prozhektorëve. Në video, ambasadorët i përgjigjen pyetjes “Si ishte hera jote e parë?”. Mes nënqeshjeve dhe nënkuptimeve, krijohet një atmosferë humori, ndërsa ata përshkruajnë “herën e parë”, atë të hedhjes së votës në kuti.
Pastaj, në gallatë e sipër, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë përçojnë mesazhin që të rinjtë shqiptarë duhet ta ushtrojnë të drejtën për të votuar në 25 Prill.
Duhet thënë se ambasadorja amerikane Juri Kim bën përjashtim me reagimin e saj këmbëngulës kundër përfshirjes së parasë së pisët dhe emrave të inkriminuar në zgjedhje.
Por të gjithë pa përjashtim, ambasadorët e BE dhe SHBA kanë heshtur për një skandal të paimagjinueshëm në vendet nga vijnë, atë të vjedhjes së të dhënave personale dhe përdorimit nga Partia Socialiste për votën e 25 Prillit. Lapsi.al vëzhgoi edhe një herë Databazën e PS dhe zbuloi se të dhënat personale janë cënuar edhe për punonjësit e ambasadave. Nga kërkimet rezulton se janë rreth 600 punonjës të të gjitha ambasadave në Tiranë që u janë grabitur të dhënat personale duke u keqpërdorur nga patronazhistët e PS. (Fotot më poshtë të nxjerra nga databaza e PS).
Grabitja e informacioneve konfidenciale dhe përdorimi i tyre nga partia në pushtet, do të ishte konsideruar një skandal në çdo vend të NATO-s, por qeveria shqiptare po tenton ta relativizojë apo ta normalizojë këtë vjedhje, që iu është bërë qytetarëve shqiptarë. Si të mos mjaftonte kjo, drejtësia e re e financuar nga BE dhe SHBA është vënë pas redaksisë së Lapsi.al për këtë skandal, në vend që të zbulojë se kush i vodhi informacionet konfidenciale nga institucionet shtetërore.
Gjithsesi trupi diplomatik ka gjithë të drejtën të bëjë një vesh shurdh e një sy qorr ndaj këtij skandali, por mund t’ia kursejë humorin bajat për “herën e parë” atyre qindra punonjësve shqiptarë në ambasada, të cilëve iu është përdhunuar privatësia.
Më poshtë mund të shihni një pjesë të rezultateve të kërkimit në kolonën e vendeve të punës të qytetarëve të patronazhuar nga spiunët e votës të PS-së./Lapsi.al/