Presidenti Ilir Meta është prononcuar lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi sot Elbasanin, ku u vra me armë zjarri eksponenti i PS-së Pjerin Xhuvani.
Kreu i shtetit i ka kërkuar Policisë që të mos bëhet palë e dy grupimeve rivale në këtë qytet. Po ashtu ai i ka tërhequr vëmendjen Prokurorisë dhe SHISH-it që të mos jenë të njëanshëm.
“Nuk mund të them asgjë për çështjen e Elbasanit për arsye se nuk mund të flas pa patur të qartë dhe të plotë panoramën apo dinamikën e ngjarjeve. Di që Elbasani ka qenë edhe mbetet së bashku me Durrësin, dy nga qarqet më problematike. Ju e dini dosja e Shijakut që na nxiu faqen, se çfarë ishte, dhe kandidatët e dosjes së Shijakut edhe Dibrës janë sërish kandidatë. Ajo që është shqetësuese në Elbasan është se shumica e krimeve zgjedhore i takojnë qarkut të Elbasanit.
Prokuroria është tërësisht e njëanshme në Elbasan, po ashtu edhe SHISH. Kam kërkuar të ketë vëmendjen e tij edhe drejtori i SHISH-it. Dihet pastaj që edhe policia në Elbasan bëhet palë midis grupimeve rivale por gjithmonë të lidhura me Taulantin. Ftoj organet ligjzbatuese të shkëpusin çdo kontakt apo preferencë partiake. Do mbajnë përgjegjësi për çdo ngjarje të rëndë që po regjistrohen në vend. Sepse vendi nuk ka nevojë jo vetëm për viktima kurrësesi, por mbi të gjitha vendi nuk ka nevojë për asnjë cenimi të standardeve zgjedhore. Edhe kaq sa kanë ndodhur deri më tani janë cenuar në mënyrë skandaloze”, tha Meta.