Refuzimi i Dritan Lelit për të hequr dorë nga drejtimi i Bashkisë së Vlorës për të kandiduar për deputet nën siglën e PS në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, duket se ka shkaktuar krisje të thellë dhe të pariparueshme me kryeministrin Edi Rama.
Shefi i qeverisë ishte sot në qytetin bregdar, ku edhe u zgjodh deputet, për të inspektuar punimet për projektin Lungomare2. Ndryshe nga herët e tjera, Rama nuk shoqërohej nga kryebashkiaku i PS.
Teksa po ecte përgjatë shëtitores, kryeministri pyet përfaqësuesin e firmës lidhur më ndërtimin e një fushe basketbolli dhe disa investime të tjera, që duhen përfunduar para nisjes së sezonit turistik.
Në këtë moment, shefi i qeverisë sulmoi hapur kryebashkiakun Leli dhe punonjësit e tij, duke i quajtur “të vdekur”, ndërsa këshillon drejtuesin e firmës të mos presë udhëzimet e bashkisë, por të vijojë intensivisht i pavarur punën.
“Ta bëjmë ta mbarojmë, sepse, të presësh të vdekurit e bashkisë…”, shprehet ndër të tjera Rama, duke konfirmuar kështu humbjen e besimit dhe krisjen me të zgjedhurin e PS.
Kujtojmë se Dritan Leli është shkarkuar nga funksionet që mbante në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste të Vlorës. Vendimi për sharkimin e tij është marrë vetëm pak ditë pasi Leli rezuzoi të jepte dorëheqjen si kryetar bashkie dhe t’i bashkohej listës së kandidatëve socialistë për qarkun e Vlorës.
Pavarësisht moskandidimit të Lelit, PS në Vlorë arriti objektivin e saj, duke fituar 8 mandate. Sipas të dhënave zyrtare, PS në Vlorë mori 59023 vota, kundrejt 32128 të grumbulluara nga PD.