Qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi të protestojnë në mënyrë paqësore pa pasur frikë nga përndjekja policore edhe në mungesë të lejes, vendosi Gjykata Kushtetuese në një çështje të rëndësisshme, të nisur nga dënimi i një protestuesi kundër Edi Ramës në Shkodër.
Katër vjet më parë, në mars 2017, një grup mbështetësish të rinj të opozitës protestuan në Shkodër gjatë një vizite të kryeministrit Edi Rama. Policia identifikoi Arvit Bushatin, një aktivist i PD-së, si organizator dhe referoi ndjekje penale për “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme.” Bushati u shpall fajtor dhe u dënua nga gjykata e Shkallës së Parë Shkodër me 90 mijë lekë gjobë, një vendin që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e gjeti antikushtetues.
“Ndjehem absolutisht mirë,” tha Arvit Bushati për BIRN pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 4 maj. “Gjatë këtyre katër viteve besoj se janë me mijëra njerëzit që kanë hasur në vështirësi të tilla absurde, ku për të protestuar të duhet të marrësh leje,” shtoi ai.
Gjykata Kushtetuese iu përgjigj të mërkurën një kërkese të Gjykatës së Apelit Shkodër, e cila konstatoi konflikt mes nenit 262 të Kodit Penal dhe doli në konkluzionin se Kodi Penal shqiptar, duke klasifikua si kundravajtje penale protestën pa leje nga policia, shkel të drejtën kushtetuese të protestës.
Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese u bë nga gjyqtarët Aleks Nikolli, Lindita Hoxha dhe Selim Kryeziu, të cilët kërkuan verifikimin e konfliktit duke argumentuar se e drejta e protestës është cënuar nga togfjalëshi “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent, sipas dispozitave të veçanta” i nenit 262 të Kodit, pasi qytetarët nuk kanë nevojë të marrin leje për të ushtruar këtë të drejtë.
Gjyqtarët vërejnë se klauzola që dënon qytetarët për protestë pa leje e ka origjinën në vitin 1995 dhe daton para anëtarësimit të Shqipërisë në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Jo vetëm […] jurisprudenca e GJEDNJ-së, por edhe nga shqyrtimi i legjislacioneve bashkëkohore, konstatohet se një pjesë e madhe e tyre nuk kërkojnë fare autorizim paraprak nga autoritetet shtetërore për të mbajtur një tubim apo manifestim paqësor, madje një pjesë e legjislacioneve pararojë, kanë amenduar edhe kërkesat për njoftim paraprak për zhvillimin e një kategorie të gjerë tubimesh dhe grumbullimesh publike,” shkruajnë gjyqtarët e apelit Shkodër në kërkesën e tyre.
Dorjan Matlija, avokat i të drejtave të njeriut në Tiranë, shpjegoi se Policia dhe Prokuroria përndjekin penalisht njerëzit vetëm për mungesë lejeje, pa marrë parasysh nëse nga protesta ka pasur apo jo ndonjë pasojë për rendin publik.
“Sipas Gjykatës së Strasburgut, nëse dikush nuk sjell dëme apo probleme serioze për rendin publik, nuk ka vend për dënim penal,” shpjegoi Matlija. “E tepërt për të mbajtur përgjegjësi penale për vetëm kaq”.
Edhe Gjykata e Apelit Shkodër thekson se në rastin e Bushatit, prokuroria ka mbështetur akuzën e saj vetëm në dyshimin se ai ka organizuar një protestë me 15 apo 20 anëtarë dhe se këtë protestë e ka bërë pa marrë leje paraprake, ndërsa prokuroria nuk ka argumentuar nëse rendit publik i është shkaktuar ndonjë problem nga kjo protestë.
“Prokuroria as nuk pretendon se protesta, sipas saj e organizuar nga i pandehuri …, me cilësinë e kryetarit te forumit vendor të një partie politike opozitare, ka cenuar në ndonjë formë rendin dhe qetësinë publike,” vëren gjykata.
“Gjykata e Apelit vlerëson se ndjekja penale dhe dënimi eventual penal …i një drejtuesi të një organizate opozitare politike rinore, vetëm sepse ka protestuar paqësisht ndaj vizitës së Kryeministrit të vendit, bie ndesh me nenin 11 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, pasi nuk është e nevojshme për ngritjen e një shoqërie demokratike,” thuhet në kërkesën për shfuqizim.
Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën më 4 maj dhe vendosi shfuqizimin e paragrafit që ngarkon përgjegjësi penale për çdo pjesëmarrës në protesta pa leje.
Kuvendi i Shqipërisë ka gjashtë muaj kohë për të rishkruar këtë nen./ Reporter.al/