Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e djeshme shtetasit Kristjan Peçi 22-vjeç dhe Evis Zeneli 34-vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 22-vjeçarit në lagjen ‘5 Maji’, policia gjeti disa servera kompjuterikë dhe një lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike.
Evis Zeneli, u arrestua nga policia si faturues i energjisë elektrike dhe përgjegjës për lidhjen e jashtëligjshme.
Skema duket e ngjashme me aktivitetin e prodhimit të kriptomonedhës Bitcoin, që u zbulua po në lagjen ‘5 Maji’, pas vrasjes së 27-vjeçarit Mehmet Qema nga shoku i tij Marjus Dema.
Gjithashtu në banesën e shtetasve të sipërpërmendur u gjet dhe një pajisje grirëse kanabisi, si dhe municion luftarak
Materialet i kaluan prokurorisë së tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i plotë i policisë: Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve K. P., 22 vjeç dhe E. Z., 34 vjeç, sepse me datë 14.05.2021, në rrugën “5-Maj”, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e marrë me qera nga K. P., iu gjet dhe iu sekustruan në cilësinë e provës materiale, disa pajisje njësie kompjuterike, dy grirese të lëndëve e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, municion luftarak, si dhe iu kostatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Ndërsa shtetasi E. Z., duke qenë faturues i energjisë elektrike, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën.