Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të hënën se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka “duar të përgjakshme”, për shkak të mbështetjes për Izraelin në konfliktin me Gazën.
Komentet e Erdoganit janë ndër më të ashprat kundër presidentit Biden, prejse ky i fundit ka marrë udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë, në muajin janar, shkruan AFP.
“Ju po e shkruani historinë me duar të përgjakshme”, tha Erdogan në një fjalim të drejtpërdrejtë televiziv.
“Ju na detyruat ta themi këtë, sepse ne nuk mund të rrimë më të heshtur”, tha Erdogan
Sipas burimeve në Kongresin amerikan, administrata e Bidenit miratoi të hënën shitjen e mundshme të armëve në Izrael, në vlerë prej 735 milionë dollarësh.
“Sot, ne pamë nënshkrimin e Bidenit në shitjen e armëve në Izrael”, tha Erdogan, duke iu referuar raporteve të mediave amerikane.
“Territoret palestineze janë të mbushura me përndjekje, vuajtje dhe gjak, si shumë territore të tjera që humbën paqen me fundin e Otomanëve. Dhe, ju po e mbështesni këtë”, tha Erdogan.
Dhuna midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës është përshkallëzuar javën e kaluar.
Mbi 200 palestinezë kanë humbur jetën nga sulmet ajrore të Izraelit, kanë raportuar autoritetet në Gaza.
Në Izrarel, zyrtarët kanë thënë se 10 vetë kanë humbur jetën nga sulmet e militantëve të Hamasit me raketa.
Administrata Biden ka thënë më herët se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe se populli palestinez ka të drejtë në siguri.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të hënën se SHBA-ja po punon “intensivisht” prapa skenave për t’i dhënë fund dhunës.
/REL