BallinaKryesoreDëshmitë rrëqethëse/Si nëna dhe djali u përdhunuan në Kosovë nga ushtarët e...

Dëshmitë rrëqethëse/Si nëna dhe djali u përdhunuan në Kosovë nga ushtarët e Arkanit

spot_img
spot_img

SAVE THE CHILDREN: 72 milion fëmijë, ose 17% e 426 milion fëmijëve që jetojnë në zonat e konfliktit, ose 1 në 6, jetojnë pranë grupeve të armatosura që kryejnë dhunë seksuale ndaj tyre. Dhuna seksuale ndaj fëmijëve në konflikt, e cila përfshin analizën e parë të rrezikut të dhunës seksuale ndaj fëmijëve që jetojnë në konflikte në periudhën midis viteve 1990-2019, tregon se gati dhjetë herë më shumë fëmijë janë në rrezik tani sesa tre dekada më parë.

Vendet ku fëmijët përballen me rrezikun më të madh të dhunës seksuale në konflikt janë Kolumbia, Iraku, Somalia, Sudani i Jugut, Siria dhe Jemeni. Kjo përfshin rrezikun e përdhunimit, skllavërisë seksuale, prostitucionit të detyruar, shtatzënisë së detyruar, sterilizimit të detyruar, abortit të detyruar, gjymtimit seksual, abuzimit seksual dhe torturave seksuale nga duart e grupeve të armatosura, forcave qeveritare dhe forcave të zbatimit të ligjit.

Në Kosovë, 1 mijë e 133 fëmijë u vranë gjatë luftës nga forcat serbe. 20 mijë vajza, gra, burra dhe fëmijë, u dhunuan seksualisht. 109 fëmijë rezultojnë ende të zhdukur, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Ky burrë, për të cilin jemi kujdesur të fshehim identitetin dhe të dhëna të tjera që do të mund ta identifikonin, ishte 11 vjeç, kur u dhunua seksualisht gjatë luftës nga paramilitarët e Arkanit.

Pa edhe nënën e tij të dhunohej seksualisht prej tyre. Babai i tij figuron i zhdukur sot e kësaj dite. Historia e tij është një dhembje e madhe, që është pjesë e fatit të mijëra shqiptarëve të Kosovës që u dhunuan seksualisht nga forcat serbe, përfshi fëmijë, vajza, djem dhe burra. Nuk u kursyen as gratë shtatzana, as gjyshet, as të sëmurët.
INTERVISTA E PLOTË:

Sa vjeç je tani?
Unë jam 31, 31 i bëj, 31 vjeçar.

Sa vjeç ke qenë gjatë luftës?
Unë kam qenë 11 vjeç, ashtu, afër 11 vjeç, 11 vjeçar.

A mund të më tregosh, sa të mundesh ti, çfarë të ka ndodhur ty gjatë luftës?
Mua më ka ndodhur, ka qenë luftë, gjatë luftës, ka ndodhur, jemi tubuar, refugjatë kemi qenë në një farë vendi, kanë hyrë serbët pastaj, burrat i kanë larguar, hynë serbët dhe u tubuam në një farë vendi, një farë livadhi ka qenë dhe nëna ime ka qenë duke u pastruar, dhe u futën ata, duhej të shkonim ta thërrisnim, nuk shkonte askush, dhe shkova e thirra.

Duke hyrë brenda kam qenë, nuk kam ditur gjë, vetëm i kam parë, 4 vetë kishin qenë brenda, jam munduar të iki prej aty, po nuk kam mundur të iki, nënën time, dy vetë kishin qenë brenda, nëna ime bërtiste sa mundej, unë nisa të qaj edhe vetë, dhe nuk munda të iki. Ata më kapën edhe mua, më kanë tërhequr zvarrë dhe më kanë çuar në një farë mali, ka qenë aty afër, më kanë tërhequr zvarrë deri tek mali aty, nuk e kam ditur, mendoja se do të vrisnin. Dhe aty ushtarë të ngjyrosur ishin, të Arkanit kanë qenë, me shami kështu.

Aty, njëri më ka zhveshur, njëri më mbante gojën për të mos bërtitur, njëri më ka zhveshur poshtë krejt, dhe aty nuk kam ditur gjë çfarë janë duke bërë, vetëm e di se më kanë dhunuar, seksualisht më kanë dhunuar, dy vetë, ka pas ndodhur nja 20 minuta gati. Pasi e ka kryer ai tjetri, pastaj më ka mbajtur ai tjetri, qëllonin sa mundeshin. Më kanë pas përgjakur, pastaj ai tjetri më mbante, njëri më lëshoi, pastaj më mbante ai tjetri, qëllonin, shanin serbisht, nuk dija tjetërsend, më përgjaknin poshtë, shkelma, dhe seksualisht më kanë dhunuar dy vetë.

Pastaj çfarë ndodhi, të lanë të ikje?
Aty mbeta dhe vetë, dikur më ra të fikët dhe nuk e kam ditur as ku jam, ashtu dalëngadalë e mora veten, se më paskan zhveshur krejt poshtë, ashtu zhveshur, dhe më ka pas rënë si të fikët, dhe ashtu përgjakur, se qëllonin, aty, pas 2-3 minutash kur u përmenda pak, dhe u vesha pak, ngadalë, duke shkuar dredhazi, u bashkëngjita me ata refugjatë të tjerë. Pastaj, pas 10-15 minutash erdhi edhe nëna nga andej, qante edhe ajo. E përgjakur, e përgjakur ka qenë edhe vetë, nuk kam ditur më gjë, i digjnin shtëpitë, bërtisnin, qanin, refugjatë kemi qenë aty.

Kujt i ke treguar për këtë që ndodhi pastaj? Kujt i ke treguar të parës?
Unë vetëm me nënën kam biseduar që të mos i tregonim askujt. Diçka e rëndë, unë me nënën kam folur.

Tani je gjithë ky burrë dhe ke vazhduar jetën…
Duhet të vazhdosh, jeta gjithqysh, kam dashur të vras veten, po jeta po vazhdon, si mirë, si keq. Akoma kam trauma, nuk mund të fle, as nuk mund të shoh gjëra të luftës, kam trauma, nuk guxoj të fle pa dritën ndezur, hiç. I shoh ëndërr shpesh…

(Nëna e tij, gjithashtu e dhunuar seksualisht, ka pranuar të flasë dhe të tregojë historinë dhe vuajtjen e saj. Intervista me të ndërpritet shpesh nga lotët dhe të qarat me dënesë).

INTERVISTA E PLOTË:

Kemi shkuar në një fshat, kemi qëndruar domethënë tre javë, pas tre javësh na kanë ardhur serbët, na kanë hyrë brenda, ne nuk e kemi ditur që po vijnë se kanë gjuajtur shumë atë ditë. Ne vetëm shikonim kur po vijnë të na vrasin, të na masakronin, a ndonjë gjë, të na pushkatonin, ata e kanë bërë ndryshe, vetëm kanë ardhur kanë trokitur në derë, e kanë gjuajtur derën, kur e kanë gjuajtur derën, ne e kemi ditur që janë serbët dhe unë kam qëndruar, në atë minutë kam qenë në banjo, kam qenë duke u veshur, duke nxituar, se vjehrra më tha vishu më shpejt, kanë hyrë serbët pastaj dhe më kanë dhunuar. Aty i kam parë, më shumë nuk e di, m’i kanë mbyllur sytë, gojën, me çorape a nuk e di me çfarë, mua më është dukur me çorape se fëmijët aty i zhvishnin çorapet, edhe më kanë dhunuar. Më kanë rrahur, më kanë rrahur në kokë, më kanë rrahur sa kanë mundur, flisnin në gjuhë serbo-kroate, serbisht, shanin…

Djali të pa kur ndodhi kjo?
Po, po, me kishte parë djali, vetëm e kam dëgjuar një zë dhe thashë mos është djali, mos është gabim diçka, më është dukur si zë, atëherë djali kishte qenë, pastaj, ia kanë bërë edhe djalit.

Kur e more vesh që edhe djalit i ka ndodhur e njëjta gjë?
Po atëherë, vetëm i kam kapur flokët dhe i kam tërhequr sa kam mundur. Vjehrra pastaj e kishte kuptuar, ne na kanë nxjerrë në një livadh pastaj, në livadh i kishin nxjerrë për t’i pushkatuar, kanë filluar t’i djegin shtëpitë pastaj, thanë mos guxoni të lëvizni prej këtu, të gjithëve do t’iu pushkatojmë. Thashë, më zi nuk keni çfarë më bëni, ma keni bërë, i kam ngritur të dyja duart kështu, i thashë, vramëni, bëni çfarë të doni me mua, se nuk mund të duroj më. Thashë, më keni bërë çfarëdo që keni mundur. Thashë, më zi nuk keni çfarë të bëni.

Kanë qenë duke m’i vrarë fëmijët, na kanë mbledhur, këtu thanë rrini, ne duam t’iu pushkatojmë, ne vetëm rrinim kështu, me duar…thashë, më zi nuk keni çfarë na bëni. Iu vinin zjarrin shtëpive, thoshin, një UÇK të gjuajë, ne do t’iu vrasim. Pastaj kemi ndenjur si të ngrirë në një vend, duke u dridhur, kam qenë shumë e dobët, kam qenë e zhveshur, e zbathur, nuk kishe ku të bleje një palë tuta, a diçka, edhe ato m’i kanë grisur, krejt të grisura i kam pasur, te gjuri, kam ecur me gjunj, kam vrarë këmbën këtu, kam ecur në gjunjë, kur kam shkuar e kam gjetur djalin…

Pastaj shkuat refugjatë? Ku shkuat? Në Shqipëri?
Jo në një vend tjetër, në Drenicë kemi qenë.

Tani, megjithatë kanë kaluar gjithë këto vite dhe ti ke mbijetuar. Ti je e mbijetuar.
Po.

A ka bërë shteti i Kosovës diçka për ju?
Jo, nuk ka bërë asgjë. Jo. Vetëm atë rrogën e burrit që e marr, asgjë.

Me burrin çfarë ka ndodhur?
Me burrin, e kam të zhdukur.

E kanë marrë edhe atë?
Po. E kanë marrë atë ditë, e kanë rrahur, e kanë keqtrajtuar,  nuk di gjë, mua më tha djali që edhe atij i ka ndodhur njësoj, ashtu, pastaj pati ardhur në shtëpi, pastaj u bë ofensiva përsëri, u bë pranvera, pastaj u zhduk, para se të hynin këta, forca.

Nuk është gjetur?
Jo. Më jo, nuk është gjetur.

Është e vështirë në Kosovë të jesh rast si rasti yt dhe janë me mijëra si ty?
Ua kuptoj të gjithave se kur i dëgjoj, trupi më rrëqethet.

Po këta të Serbisë që dalin e thonë nuk janë bërë krime në Kosovë, Vuçiçi dhe këta të Vuçiçit?
Kanë bërë krime këta, jam vetë, jam vetë që dëshmoj, kanë bërë krime, unë i kam parë vetë, me sytë e mi. Mua me kanë bërë, ai krim është.

Krim është, dhe krim i tmerrshëm është.
Mua më kanë dhunuar, mua më ka ndodhur. Dhe kanë rrahur, sot e asaj dite, nuk e ngre dot kokën. Vetëm ilaçe pi, më dhemb shpina, gjunjët, ndonjëherë zvarrë çohem. Më kanë bërë të paaftë. Edhe burri ka dashur të më lërë, me fëmijë, i thosha, fëmijët nuk di ku t’i lë, se vjehrra i ka treguar pak e shumë, kam pasur problem edhe me burrë, burrin e kam pasur shumë të mirë, kam pasur problem edhe me burrin. Ata kurrë hajër mos pafshin. Kurrë në Kosovë mos na ardhshin. Se njëherë që dëgjova që do vijnë serbët, unë vdiqa për së gjalli. Thashë, më mirë ta mbys veten, sesa të vijnë edhe njëherë dhe të më ndodhë ndonjë gjë.   

……………………………………………………………

Feride Rushiti, nga Qendra për parandalimin e torturës, tregon raste aq të dhimbshme saqë e kapërcejnë edhe imagjinatën njerëzore. “Ka qenë fëmijë, 9 vjeçare…fati i mirë që ka gjetur një bashkëshort që e ka kuptuar, dhe e ka mbështetur për të ecur tutje.”

Gazetarja Serbeze Haxhiaj ka hulumtuar gjerësisht rastet dhe thekson se vështirë të thuhen numra të saktë lidhur me viktimat e dhunës seksuale nga forcat serbe, veçanërisht për rastet e fëmijëve.

Viktima më e re që më ka rënë të intervistoj ka qenë vetëm 11 vjeç kur është dhunuar së bashku me nënën dhe motrat e saj.”

Kosova ka ngritur në vitin 2018 një komision për përcaktimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Minire Begaj Balaj, kryetare e këtij komisioni shpjegon se janë raste shumë të rënda.

Kemi pasur raste prej moshës 11 vjeçare, të moshës 13 vjeçare, e shumica të tjera janë 14, 15, 16, 18 e përpjetë, vajza dhe djem, brenda numrave që ne kemi pasur edhe burra që ia njohur statusin, kemi edhe gra, kemi pasur edhe fëmijë, 11 vjeç, 13 vjeç…

Njohja e statusit të viktimës së dhunës seksuale nuk është thjeshtë përpjekje e shtetit të Kosovës për t’i mbështetur këto viktima. Mbi të gjitha është dëshmi dhe provë e një krimi të tmerrshëm, ku dhunimet seksuale janë përdorur si mjet lufte, shfarosje dhe gjenocidi, që nuk ka kursyer as fëmijët! / Abcnews.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular