Big Brother VIP” ka qenë kryefjala e mediave gjatë gjithë kësaj jave. Që nga momenti që Top Channel publikoi promon e emisionit, ka pasur diskutime të shumta si kush do e prezantojë programin apo cilët do të jenë personazhet e famshëm që do të marrin pjesë në të.
Për vite me radhë “Big Brother” ka qenë ekskluzivitet i Arbana Osmanit, por këtë vit kanë hyrë në garë të tjera figura të njohura të “Top Channel”. Deri më tani janë përfolur disa emra si Fjoralba Ponari, Bora Zemani etj, por pretendentet kryesore për drejtimin e spektaklit janë Arbana Osmani dhe Luana Vjollca.
Por kush do e marë drejtimin mes dy vajzave?
“Panorama” shkruan se sipas burimeve brenda televizionit, Luana ia ka “rrëmbyer” këtë format Arbanës. Thuhet se “Big Brother VIP” do i besohet Luana Vjollcës, që ka drejtuar disa nga spektaklet më të rëndësishme në “Top Channel”. Para pak ditësh Luana u shfaq në rrjete sociale me trashëgimtaren e “Top Channel”, Lori Hoxha, si për të treguar se një projekt i madh do të vijë së shpejti. Po ashtu para pak kohësh, Vjollca publikoi një foto të saj ku shkroi “Luana po të vëzhgon” (si motoja e spektaklit të famshëm) dhe kjo mund të ketë qenë një shenjë se ajo do të marrë timonin e “Big Brother VIP”.
Për momentin Arbana Osmani është në përfundim të ciklit të “Dua të të bëj të lumtur”, ndërsa Luana nuk i ka nisur ende përgatitjet për “Shiko kush luan”. Po ashtu emisioni dating, “Take me out”, që ishte planifikuar më herët, thuhet se nuk do të bëhet. Kësisoj shanset janë shumë të larta që Luana të prezantojë “Big Brother VIP”, i cili thuhet se do të nisë transmetimin në ekran në tetor të këtij viti.