Shkrimtarja dhe deputetja e zgjedhur e PD, Flutura Açka, ka përkujtuar sot me dhimbje ditëlindjen e 21-të të djalit të saj të ndjerë, Jerin van den Brink, që ndërroi jetë në moshën 18-vjeçare nga një sëmundje e rëndë, në Holandë. Në një shënim në Fb, Açka i drejtohet djalit të vetëm që pati me fjalën “Biri”.
Nga Flutura Açka.
“Kur ishte ditë, Biri ia zbehte asaj ngjyrat; kur ishte natë i derdhte asaj shumë dritë. “Po hajde, moj mamka!”, thërriste prej nga tryeza e shtruar, kur unë ende vërtitesha mes gatesave që e bënin ditëlindjen e tij të larmishme, siç e pëlqente ai, me tapas të shumta. Dhe ditëlindja zgjaste me ditë, aq sa zinte ditëlindjen time.
Gjenim gjithnjë arsye për festat tona të vogla, si ta dinim se do të na mohoheshin festat tona të mëdha. Sot Biri do të mbushte 21, dhe unë prapë do ta miros tryezën për festën tonë të vogël. Kujtimi, ky është tapia e vetme e sigurtë e patjetërsueshme e njeriut.
Ju lutem, miq, m’i kurseni ngushëllimet nën foto!”