Nga Artur ZHEJI
Ndoshta e kishte parashikuar “misionin” e tij. Ndoshta jo. Ndoshta vetëm e kishte shkruar si një libër elektoral dhe kaq. Dhe ndoshta nuk e besonte deri në fund as edhe vetë, që do ti duhej një ditë të afërt dhe plot re të murme: “të shpëtonte Partinë Demokratike!” nga shumë lloj kthetrash.
Pikërisht ai, zoti “brishtësia” që mbijeton në xhungël, zoti “qytetaria”, që ruan vështirësisht klasin në rrumpallhanën shqiptare, pikërisht ai, i “përkëdheluri” i Doktorit, gjë e cila ka shkaktuar shumë frustacione në PD.
(Po a është faji i Bashës për këtë?! Apo mos vallë Doktori, është po aq i mençur dhe djallëzor, edhe në rastin e përzgjedhjes së Bashës, për cilësira që ai i njeh dhe të tjerët nuk i njohin?)
Lulëzim Basha pra, politikani i buzëqeshur dhe me finesë të palodhshme, ka sot një barrë të rëndë!
“Hollandezi” që nuk e prish kurrë gojën e vet, me ndyrësirat e zhargonit të fëlliqur të politikbërjes shqiptare, duhet të mbrojë sot Partinë Demokratike nga sulmi më i rreptë, që kjo parti ka pësuar ndonjëherë…
Sepse gjërat u rrokullisën në mënyrë të paparashikueshme! Amerikanët e “snajperuan” rëndë dhe ballazi Sali Berishën dhe kjo rrethanë e “dobëson” në dukje të parë Lulëzim Bashën. Nuhatur kjo rrethanë, sulmet ndaj tij janë shumëfishuar dhe janë supersponsorizuar nga Shumica në pushtet…
Ëndra legjitime e Marshallit është që pas Zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, pas Presidencës që është nën bombardim, të “fusë në dorë” edhe partinë e frikshme Opozitare, Partinë Demokratike.
Lulëzim Basha duhet të realizojë sëpaku tre detyra sipërore:
- Të kontestojë në formë legale Zgjedhjet politike të kaluara
- Të fitojë Zgjedhjet në PD
- Të integrojë “rivalët” në sistemin e brendshëm drejtues të Partisë Demokratike.
Porse, në 13 Qershorin e ardhshëm, kur demokratët do të votojnë, dhe sigurisht në betejat e ardhshme politike të Opozitës, demokratët dhe tanimë edhe shumica e shqiptarëve, kanë nevojë për Lulëzim Bashën.
Pasiqë objektivisht dhe pa mëdyshje mund të them, se çdo “rival” tjetër që kërkon postin e tij (tanimë një post luftimi), do të bjerrte kohë të dobishme dhe do të krijonte dobi për Partinë Socialiste dhe jo për Partinë Demokratike, e cila do të prapsonte ndjeshëm…/360grade.al