Në sagën e vdekjeve misterioze në Shqipëri, që mori shkas nga humbja e jetës së Evgjeni Baxhos, e reja që u gjet me disa simbole në trup, si dhe ai i familjes Josifi në zonën e Kombinatit, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, zbuloi një tjetër histori të padëgjuar më parë.
Sot në Open ajo foli më shumë detaje rreth kësaj ngjarje.
Atë të një ekonomisti 32 vjeçar, që ka qenë rasti i parë në kryeqytet i cili ka humbur jetën në rrethana të dyshimta, dhe grupet e hetimit edhe sot nuk dinë të japin përgjigje se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në 2019.
“Gerti është i pari që ka humbur jetë në rrethana misterioze, të pahetuara. Kanë ardhur vërdallë dhe s’i kanë dhënë përgjigje…”
I riu ishte ekonomist dhe pasi nisi të frekuentonte një sekt të caktuar, filloi të ndryshonte sjellje. Familjarë të tij i kanë treguar Hoxhës se ai filloi të mos konsumonte më produkte me origjinë shtazore dhe kërkonte që në shtëpi të konsumoheshin vetëm produkte me natyrë bimore.
“Djali në konflikt e sipër largohet nga shtëpia në gusht 2019, dhe në fund të gushtit gjendet në ullishten e Bathores në Tiranë, i pajetë, i ulur në një ritual lutjeje. Gerti ka ndërruar jetë nga refuzimi i ushqimit. Familja ka bërë menjëherë një denoncim për shokun e tij, që e futi në këtë sekt. I riu para se të ndërronte jetë, kishte shkuar në Greqi për të marrë pjesë në një prej mësimeve të këtij sekti,” tha gazetarja.