Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë lajmin se sot Joe Biden ka vendosur që në emër të SHBA t’i dhurojë një numër të konsiderueshëm vaksinash vendit të saj.
Në fakt ishte Osmani ajo që i kërkoi më 19 mars me anë të një letre Biden-it që të ndihmonte me vaksina Kosovën, teksa vetë Presidenti i SHBA ka deklaruar më parë se do të ndihmojë vendet e botës me vaksina.
Osmani thotë se sot është zyrtare dhe kjo është një tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që Kosova gëzon nga SHBA.
Ajo e quan Biden-in një mik të Kosovës dhe ajo në emër të qytetarëve e falenderon përzemërsisht
STATUSI NGA VJOSA OSMANI
PRESIDENTI BIDEN NDANË VAKSINA PËR KOSOVËN
Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës.
Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Presidentin Biden për këtë gjest bujar dhe për dhurimin e vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës pas kërkesës së adresuar atij në muajin mars. Njoftimi zyrtar i sotëm është tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që vendi ynë e gëzon historikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti Biden ka qenë gjithmonë mik i Kosovës dhe ky donacion ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon të tregojë ndaj popullit tonë. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës e falënderoj përzemërsisht.
Kosova dhe institucionet tona vazhdojnë të mbeten të palëkundura në orientimin Euro-Atlantik dhe të njëjtën politikë e kanë ndjekur edhe në sigurimin e vaksinave.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.