Këshilli i Lartë Gjyqësor pas dëgjimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani dhe gjyqtares Enkeleda Kapedani ka shpallur vendimin mbi kërkesën e paraqitur për përjashtimin e magjistrates.
Mësohet se KLGJ ka vendosur që të pezullojë kryegjyqtaren Kapedani deri në një vendim të dytë, pra deri në përfundimin e procesit.
Ishte ILD që kërkoi nga KLGJ pezullimin dhe shkarkimin e gjyqtares Kapedani, pas videove që gjyqtarja publikonte në tik-tok. Kreu i ILD-së, Artur Metani, tha gjatë seancës së sotme gjyqësore se ekzistojnë kushtet që gjyqtarja të pezullohet.
“Në rastin konkret ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin ndaj magjistrates Enkeleda Kapedani të masës provizore të pezullimit nga ushtrim i detyrës deri në përfundimin e procedimit disiplinor, për shkak se vazhdimi i magjistratit në detyrë diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit.”, tha Metani.
Ndërsa vetë Kapedani në këtë përballje kishte paraqitur dorëheqjen deri në një zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Njoftimi i KLGJ
Sot, në datën 7.6.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për pezullimin nga detyra të magjistrates Enkeleda Kapedani, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, deri në përfundimin e procedimit disiplinor.
Në vijim të procedurave, Këshilli, pasi dëgjoi argumentet përkatëse, vendosi pezullimin nga detyra të magjistrates deri në përfundimin e procedimit disiplinor, si dhe i kërkoi Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë hetime të mëtejshme për shkeljen disiplinore që i atribuohet.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, i angazhuar për rikthimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor, siguron opinionin publik se i kushton vëmendje të veçantë sjelljes etike të gjyqtarëve jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës, por edhe jashtë saj. Nga ana tjetër, Këshilli garanton respektimin e të drejtave kushtetuese të gjyqtarëve, në lidhje me prezumimin e pafajësisë dhe zhvillimin e procesit të rregullt ligjor, deri në përfundimin e procedimit disiplinor.