Fatos LUBONJA
Në vitin 2016, në Austri u përsëritën zgjedhjet presidenciale për shkak se në dy qendra votimi ndodhën dy gabime thjesht formale. Në njërën komisionerët kishin hedhur firmën para mbylljes së qendrës, te tjetra ajo ishte mbyllur paraprakisht në orën 13:00, sepse ishte një vend i vogël e nuk prisnin më votues. Por zgjedhjet u përsëritën në nivel kombëtar.
Ky fakt, që po e përsëris dhe nënvizoj edhe në këtë shkrim, duhet të shërbejë si një pasqyrë, përpara së cilës të shohin veten të gjithë shqiptarët e ndërkombëtarët e përfshirë në problemet e Shqipërisë, duke kërkuar përgjigjen e pyetjes: cilat janë arsyet që pas tridhjetë vjetësh Shqipëria ka mbetur një vend ku zgjedhjet janë vite dritë larg çdo vendi europian?
Është një pyetje që duhet ta shtrojë cilido nga ne, duke filluar që nga Edi Rama, i cili në vitin 1997 firmoste së bashku me 16 intelektualë të tjerë (përfshirë edhe autorin e këtij shkrimi) një peticion drejtuar shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar ku shprehej shqetësimi i madh për rrezikun që i kanosej Shqipërisë edhe si pasojë e grabitjes së votës në vitin 1996 nga Sali Berisha. Në atë peticion, mes të tjerash, shkruhej: “Është e pritshme që një popull, që nuk e lë t’i korrigjojë institucionet e pushtetit me votën dhe opozitën e tij, t’i korrigjojë ato me flakë”. (Përpjekja 9, 27 janar 1997, f. 2).
Përgjigjja e pyetjes para pasqyrës personalisht më çon në titullin që i kemi vënë atij peticioni: “Ndal politikës, krimi ndjell krimin”. Vjedhja, blerja, deformimi i votës si krime elektorale kanë lindur dhe vazhdojnë të kryhen pa ndalur në Shqipëri si pasojë e krimeve gjatë qeverisjeve.
Në shkrimin para zgjedhjeve të 25 prillit, me titull “Rotacioni si frenim për të mundësuar kthesën”, kam dhënë tetë argumente se pse politikat “krimi ndjell krimin” kanë avancuar në krahasim me vitin 2013 dhe kam parashikuar rrezikun e thellimit të tyre nëse nuk do të ndodhte frenimi që ka ndodhur çdo tetë vjet gjatë këtyre tri dekadave nëpërmjet rrotacionit (fatkeqësisht frenim i përkohshëm). Sipas meje, procesi zgjedhor, rezultati dhe zhvillimet pas tij e provuan këtë. Provat janë të shumta, por ndoshta më emblematikja është ngjarja e Elbasanit. Aty pamë të lidhur zinxhir, si në një linjë montazhi industrial, krimin e marrjes së të dhënave personale, me krimin e organizuar për të blerë vota, me krimin e Policisë dhe Prokurorisë për t’i mbuluar, me një ushtri mediatike, që në vend se t’i hetonte e denonconte, transmetonte gënjeshtrat e Policisë dhe Prokurorisë dhe, si qershia mbi tortë, pamë kapon e kësaj “makinerie”, siç e quajti partinë e tij Edi Rama, t’u drejtohej punëtorëve të vet të krimit me fjalët: “unë jam krenar për ju!”.
Legjitimimi që po u bëjnë këtyre zgjedhjeve institucionet që kanë tagrin për t’i anuluar, është hapi i mëtejshëm i politikës “krimi ndjell krimin”. Edhe iniciativa për shkarkimin e Presidentit, ashtu sikurse edhe rihapja e dosjeve të vjetra ndaj opozitarëve nga një drejtësi që ka mbyllur sy e veshë ndaj krimeve flagrante të kryera nga pushtetarët e rinj, ku një pikë kulminante ishte edhe masakra zgjedhore, është pjesë e këtij procesi.
Pikërisht duke ndjerë këtë rrezik kam hedhur para zgjedhjeve tezën se forcat opozitare duhet të bashkoheshin të gjitha në krahun tjetër të anijes së batuar – pa humbur identitetin dhe diferencat programore ideologjike – sepse anija e demokracisë (por edhe vetë Shqipëria) po rrezikonte të mbytej nga pesha e politikave “krimi ndjell krimin”. Ndoshta, e përsëris, ndoshta, (sepse nuk jam i sigurt) vetëm një bashkim i tillë do të mundësonte ekuilibrimin sidokudo të anijes nëpërmjet mobilizimit maksimal të njerëzve për mbrojtjen e votës.
Thirrjen për këtë lloj bashkimi ua kam drejtuar disa herë opozitave të sistemit oligarkik kriminal, d.m.th., PD-së, LSI-së e partive rreth tyre, por ato nuk bënë asgjë në këtë drejtim, as në raport me njëra tjetrën, as edhe me opozitarët antisistem, të cilët, duke i mëshuar tezës se opozita dhe maxhoranca ishin njëlloj, dy gjymtyrë të të njëjtit sistem, zgjodhën baraslargimin, duke u vendosur në qendër të anijes. Edhe ndaj të baraslarguarve (nuk e kam fjalën për ata që kishin mision thjesht marrjen e votave, opozitës në funksion të maxhorancës) e kam formuluar këtë kërkesë duke argumentuar se ndonëse vërtet kishte pak shpresa që partitë opozitare të sistemit të mbanin fjalën për disa ndryshime antisistem që kishin premtuar, rrotacioni gjithsesi do të krijonte më shumë hapësira për ta luftuar atë, pasi populli do të jepte një sinjal të qartë se nuk e duron dot më këtë sistem kriminal, kurse fitorja në zgjedhje e kryepartisë së sistemit do të legjitimonte gjithçka ajo ka bërë duke forcuar kësisoj edhe më shumë këtë sistem. Por edhe nga ata nuk pati ndonjë përpjekje për bashkim, madje shumë syresh arsyetonin se ishte më mirë të fitonte edhe një herë Edi Rama, pasi një fitore e tij, duke hequr qafe këtë opozitë, do t’u hapte rrugën pikërisht atyre që premtojnë të përmbysin bashkë me Ramën, edhe sistemin oligarkik kriminal.
Sot, kur flasim për opozitarizmin paszgjedhor, i shoh të gjithë aktorët e sipërpërmendur të lëvizin në bordin e anijes në emër luftërash për pushtet brenda grupit, luftërash të grupeve me njëri-tjetrin, hedhjes së fajit te të tjerët; shoh dëshpërim, thërrmim, pazare me fitimtarët, takime me ambasadorë për t’i mbështetur ndaj kundërshtarëve, por nuk i shoh të ndajnë ndjenjën e përdhunimin që i shkaktuan këto zgjedhje të gjithë shqiptarëve dhe as të bëjnë një analizë serioze, komplekse, historike e vetëkritike të politikave “krimi ndjell krimin”, që na çuan te ky përdhunim i ri, se çfarë vërtetuan dhe çfarë përgënjeshtruan këto zgjedhje në raport me qëndrimet e tyre parazgjedhore, as se çfarë duhet të korrigjojnë dhe në cilin drejtim. Metaforikisht konstatoj një miopi – kopje e miopisë së fitimtarëve, – që nuk i le ta shohin nga jashtë bordit ku ndodhen gjendjen dhe trajektoren e anijes ku po lundrojmë të gjithë. E pra, të merresh me atë se kush do të ishte më i aftë për t’ia marrë drejtimin e anijes Edi Ramës pas katër vjetësh dhe jo me batimin dhe trajektoren e frikshme të saj nën peshën gjithnjë e më të rëndë të politikës “krimi ndjell krimin”, do të thotë të mos kuptosh asgjë ose të kuptosh, por të bësh sikur nuk kupton për shkak interesash meskine. Debati dhe projektet që duhen bërë sot në kampin opozitar nuk janë ata se çfarë duhet bërë për të marrë timonin e anijes pas katër vjetësh, por se çfarë duhet bërë ditë për ditë, duke filluar nga dje, për t’i rezistuar politikës “krimi ndjell krimin”. Vetëm kështu mund të evitohen dy rreziqe që i kanosen anijes në këtë lundrim anormal: mbytja e saj përfundimtare, ose kthimi i vitit famëkeq ‘97 kur një popull, që nuk u lejua t’i korrigjojë institucionet e pushtetit me votën dhe opozitën e tij, i korrigjoi ato me flakë.