Udhëheqësit e grupit të kombeve të industrializuara G-7 takohen këtë fundjavë në Britani, me një axhendë të kryesuar nga rimëkëmbja globale nga pandemia e koronavirusit, ndryshimi klimatik, taksimi dhe sfidat e paraqitura nga Rusia dhe Kina.
Samiti tre-ditor që fillon të premten do të mbahet në Gjirin Carbis, një vendpushim i njohur turistik në Cornwall në gadishullin jugperëndimor të Britanisë. Anijet luftarake britanike janë duke patrulluar përgjatë vijës bregdetare dhe më shumë se 6 500 oficerë policie janë dislokuar ndërsa Britania përgatitet të presë udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Kanadasë.
Australia, India, Koreja e Jugut dhe Afrika e Jugut gjithashtu janë ftuar të marrin pjesë
Samiti shënon udhëtimin e parë zyrtar të Presidentit Joe Biden jashtë vendit në këtë detyrë. Duke folur para gazetarëve të mërkurën në Bazën Andrews në Maryland, ndërsa ai po përgatitej të fluturonte për në Britani në bordin e Air Force One, Presidenti Biden u pyet për përparësitë e tij për udhëtimin. “Forcimi i aleancës. Bërja e qartë Putinit dhe Kinës se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të ngushta dhe G-7 do të lëvizë”, tha Presidenti Biden.
Kryeministri britanik Boris Johnson tha të mërkurën se po mezi pret të mirëpresë aleatët personalisht. “Kjo është hera e parë për gati gjashtë muaj në detyrë që Joe Biden presidenti i Shteteve të Bashkuara ka qenë në gjendje të vijë përtej detit për një udhëtim të rëndësishëm; është hera e tij e parë në kontinentin evropian. Është hera e parë që secili prej nesh me të vërtetë do të jetë në gjendje ta shohim njëri-tjetrin në person që kur filloi pandemia”.
“Kështu që këtu në G-7, ajo që ne synojmë është të sigurohemi që kemi një traktat të ri mbi pandeminë, duke punuar me të, duke rindërtuar më ekologjikisht, duke u rikthyer më mirë, prandaj po shikojmë se çfarë po ndodh këtu në Cornwall me të gjithë teknologjinë e gjelbër, por gjithashtu duke folur për vlerat që kemi të përbashkëta, gjithçka që duam të bëjmë së bashku. Ekziston një axhendë e madhe”, tha Kryeministri Johnson.
Pas katër vjet marrëdhëniesh të trazuara transatlantike nën ish-Presidentin Donald Trump – axhenda e të cilit “Amerika e Para” ftohu shumë aleatë – Presidenti Biden do të marrë një pritje të ngrohtë në Evropë, thotë analisti Thomas Kleine-Brockhoff, nënkryetar i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara.
“Përpjekja për të rindërtuar besimin – besimin e humbur me aleatët – është në zemër të axhendës. Dhe ky mesazh vjen me zë të lartë dhe të qartë”, i tha Zërit të Amerikës zoti Kleine-Brockhoff. Por, ai shtoi se plagët nuk janë shëruar ende plotësisht.
“Ekziston një lloj dyshimi i zgjatur se Joe Biden mund të jetë një i zgjatim, një intermezzo midis dy presidencave nacionaliste dhe një Amerike që ka ndryshuar në afatgjatë. Dhe kështu, investimi në administratën e Presidentit Biden [nga aleatët evropianë] nuk është aq menjëherë i dukshëm sa ç’do të shpresonte administrata e Presidentit Biden”, tha zoti Kleine-Brockhoff.
Sidoqoftë, analistët thonë se udhëheqësit e G-7ës do të bëjnë një shfaqje të fortë të unitetit mes sfidave të shumta, thotë Creon Butler, ish-këshilltar i qeverisë britanike në G-7 dhe tani drejtor i Programit të Ekonomisë dhe Financave Globale në institutin e politikës së jashtme Chatham House të Londrës.
“Rimëkëmbja nga COVID-i në përgjithësi është çështja kryesore dhe ju mund ta shihni këtë në mënyrën se si Britania e Madhe po e paraqet samitin”, i tha zoti Butler Zërit të Amerikës. “Ekziston një lloj aspekti ekonomik dhe pastaj ka aspekte të tjerë, veçanërisht për sa i përket shëndetësisë”.
Organizatori i samitit, Kryeministri Britanik Johnson, ka premtuar se G-7a do të ndihmojë në vaksinimin e të gjithë botës deri në fund të vitit 2022. Një nga paraardhësit e tij, ish-Kryeministri Gordon Brown, thotë se retorika duhet të kthehet në realitet.
“Mendoj se nuk është e tepruar të thuash që G-7a e së premtes është çështje jete dhe vdekjeje. Vendimi i tij do të përcaktojë se kush është i vaksinuar dhe i sigurt dhe kush mbetet i pavaksinuar dhe në rrezik për të vdekur”, tha zoti Brown në një takim virtual të mbajtur të martën nga Chatham House.
Udhëheqësit e G-7 gjithashtu do të përqendrohen në çështjen e ndryshimit klimatik, tregtia dhe taksat. Ministrat e financave të G-7 mbështetën një plan për një normë minimale globale taksash prej 15%. “Kjo është me të vërtetë mjaft revolucionare”, tha zoti Butler. “Siç është, në të vërtetë, marrëveshja për ndarjen e të drejtave të taksimit – pra jo vetëm në vendin ku është rezidenca tatimore e kompanisë, por edhe në vendet ku një kompani mund të ketë të ardhura shumë të mëdha por ku paguan shumë, shumë pak taksë”.
Zoti Butler tha se mbajtja e samitit të G-7 nga Britania ofron një platformë ideale për qeverinë për të projektuar një imazh të ri tani që ajo është larguar nga Bashkimi Evropian.
“Në të vërtetë, G-7a tani është edhe më e rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar dhe në të vërtetë për aleancën Perëndimore në përgjithësi, tani që Britania e Madhe është larguar nga BE-ja, sepse, sigurisht për Mbretërinë e Bashkuar, për gjërat që mund të kenë dashur të koordinojnë dhe të bashkëpunojnë brenda BE-së, G-7a është tani vendi logjik për ta bërë këtë”.
Kërcënimi për demokracitë e G-7 nga Rusia dhe Kina gjithashtu do të diskutohet në Cornwall. Presidenti Biden do të shpresojë për një përgjigje të fortë nga aleatët, thotë analisti Kleine-Brockhoff.
“Pyetja nëse vendet perëndimore mund të gjejnë një përqasje të përbashkët ndaj Kinës dhe nëse Presidenti Biden mund të marrë nga aleatët e tij evropianë gjuhën dhe angazhimin që i nevojitet edhe për qëllimet e tij të brendshme politike… për mua kjo mbetet pikëpyetja e madhe”, tha zoti Kleine-Brockhoff.
Disa nga udhëheqësit e G-7ës do të shkojnë nga Cornwall drejt Brukselit të hënën për një samit të NATO-s. Presidenti Biden është planifikuar të takohet të martën me udhëheqësit e Bashkimit Evropian.
Analistët thonë se sekuenca e takimeve ka për qëllim nënvizimin e mbështetjes së aleatëve përpara takimit të Presidentit Biden të mërkurën me homologun e tij rus Vladimir Putin në Gjenevë./VOA