Publikohet historia e panjohur e Aleksandër Kondos, legjendës së pëshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27 vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pa zbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Quens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qendruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Pëshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni. Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.
Në Tiranën e fillim viteve ’80-të, jo vetëm për sportdashësit e shumtë por edhe më gjerë tek të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, ra në sy dhe spikati një djalosh i ri asokohe në moshën 20 vjeçare, si për portretin e fizikun e tij, ashtu dhe për pamjen e jashtme, me veshjet e modës dhe në në krahqafë hedhur çantën e sportit, e në supin tjetër një radio-magnetofon të madh, që ai i sillte nga jashtë shtetit, kur dilte me ekipin kombëtar të peshëngritjes në aktivitet ndërkombëtare. Ai ishte Aleksandër Kondo, pjestar i ekipit të peshëngritjes “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (ku asokohe shërbente si ushtaraku i lartë në Gardën e Republikës, edhe i ati i tij), dhe gjithashtu i ekipit kombëtar, i cili në ato kohë, falë edhe vlersimit dhe trajtimit të diferencuar që i bënte regjimi komunist në fuqi disa sporteve të rënda, kishte arritur rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare.
Emri i Aleksandër Kondos si sportiest filloi të bëhej gjithnjë dhe më i njohur, sidomos pas rezultateve të tij të larta të arritura në vitin 1984, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit, kur ai fiksoi shifrat 200 kg. (në stilin e shtytjes) duke elektrizuar mijra sportdashës, (atë ditë më shumë spektatorë ishin jashtë pallatit të sportit se sa brenda tij), të cilët nën duartrokitjet e shumta, nuk largoheshin nga sheshi para pallatit, pa e parë nga afër atë djalosh, që i kishte mahnitur me rezultatet dhe performancën e tij. Që nga ajo kohë, Sandër Kondo, pothuaj u kthye në një mit në Tiranë dhe Shqipërinë e asaj kohe, pasi rezultatet e tij erdhën gjithnjë e në ngritje, jo vetëm në kampionatet kombëtare, por edhe në arenën ndërkombëtare ku ai vazhdimisht kishte rezultate të larta.
Por shumë e shumë më tepër nga kjo periudhë kohe kur Sandër Kondo, ishte në kulmin e karrierës, emri i tij u bë edhe më i njohur dhe filloi të diskutohej në mbarë vendin, në fundin e majit të vitit 1985, kur gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në kuadrin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë të Polonisë, (ku ai ngriti 210 kg.), Kondo nuk u kthye më në Shqipëri, por së bashku me shokun e tij të ekipit, shkodranin Xhelal Sukniqin, nga Mali Zi shkuan në Beograd, në pritje për të fituar azilin politik për në SHBA-ve.
Ngjarja e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë bëri bujë të madhe jo vetëm për shkak të emrit dhe famës së madhe që kishte Aleksandër Kondo asokohe, por edhe për shkak se ajo ngjarje u bë objekt “sherri” në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, pasi Tirana zyrtare asokohe akuzoi hapur publikisht (në gazetën “Zëri i Popullit”), autoritetet jugosllave, duke thënë se dy sportistët shqiptarë ishin rrëmbyer prej shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-së) dhe kërkoi kthimin e tyre në atdhe.
Por ai pretendim i Tiranës zyrtare, nuk kishte asgjë të vërtetë, pasi Kondo dhe Sukniqi e përgënjeshtruan atë gjë në takimin që u bë në Beograd, në mes përfaqsuesve të ambasadës shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj, e palës jugosllave, ku Sandër Kondo, pasi shau mbarë e prapë regjimin komunist të Enver Hoxhës, tentoi të godiste me tavëll duhani edhe diplomatin shqiptar, që ngulte këmbë se ai duhej të kthehej në Shqipëri, ku e priste familja dhe gjithë shoqëria.
Pas kësaj, Sandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi fituan azilin politik për në SHBA-ve, ku Sukniqi ndodhet akoma, ndërsa Kondo, humbi jetën në një aksident automobilistik, më 1 maj të vitit 1987, (gjithnjë sipas versionit zyrtar të regjimit komunist të asaj kohe), dhe eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri në vitin 2003.
Të gjitha këto tashmë janë të njohura prej vitesh, pasi për Aleksandër Kondon si legjenda e peshëngritjes shqiptare është shkruar shumë dhe babai i tij, Vangjel Kondo, ka dhënë disa intervista si në median e shkruar dhe vizive, madje janë bërë dhe disa dokumentarë televizivë, për të gjithë jetën dhe historinë e tij, deri ditën që u nda nga kjo jetë. Por përsëri, “Çështja Aleksanër Kondo”, ende nuk është zbardhur plotësisht, sidomos ajo pjesë që ka të bëjë me vdekjen e tij tragjike e cila vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, si dhe survejimin që i është bërë atij nga ana e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe segmenteve të tij që në vitin 1981, gjë e cila u bë publike për herë të parë nga ana e Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, e drejtuar nga znj. Gentjana Mara Sula, e cila në vitin 2018, i dorëzi dosjen familjes Kondo, apo më saktë babait të tij, Vangjel Kondo.
Në atë dosje që z. Vangjel Kondo i’a ka besuar eksluzivisht për botim Memorie.al, hidhet dritë dhe bëhet e ditur, vlerësimi, trajtimi dhe i gjithë survejimi e përndjekja, që i është bërë asokohe nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një prej sportistëve më në zë të Shqipërisë, siç ishte Aleksandër Kondo, i cili ishte mjaft i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Nisur edhe nga ky fakt, Memorie.al do e publikoj të plotë dosjen në fjalë (me faksimilet përkatëse), në disa numra.
Raporti i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, për bisedën që ka bërë bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin “Studenti”, me Aleksandër Kondon, më 24 dhjetor 1981
Dërguar nga DPB Tiranë me shkrim nr 3544 datë 24.12.1981
Dhënë b.p. “Studenti”
Marrë P.O. R.I.
Baza “Zambaku”
Raport i datës 14.12.1981
Burimi njofton se u takua tek klubi në afërsi të shkollës “P.N. Luarasi” me Aleksandër Kondon i cili, atë ditë ishte kthyer nga Rumania ku kishte shkuar me ekipin kombëtar shqiptar në Kampionatin Ballkanik të Peshëngritjes.
Në muhabet e sipër ai, e pyeti Aleksandrin sesi kishte dalë në Rumani, dhe çfarë kishte sjellë me dietat që i kishin dhënë. Duke i thënë njëkohësisht edhe sesa i kishin kushtuar këto që kishte sjellë.
Në përgjigje të kësaj Aleksandri tha: “Kam blerë një xhakovento, katër golfa, kapele, gravatë, çorape, si dhe disa kinkalerira të tjera, megjithëse dietën e kishim të vogël”. Ai e pyeti se kur dietën e kishit të vogël, si arrite ti blije të gjitha këto?!
Aleksandri vazhdoi: “Kur ishim në hotel, pashë një sportist bullgar që futi në dhomë, një nga pastrueset e hotelit. Meqenëse e pashë këtë fakt bullgari, më dha 200 lei. Gjithashtu dhe 200 lei m’i dha përkthyesi që na shoqëronte neve që ishte me origjinë shqiptare. Ai, banonte në Rumani dhe më mori me makinë duke më shëtitur disa orë.
Më porositi që këto mos tua tregoja atyre të ambasadës meqënëse takohesha çdo ditë me ta”. Mbas disa ditësh ai u takua me …….. i cili kishte qenë dhe ai në Rumani me ekipin e peshëngritjes dhe kur ai i përmendi rreth bisedës së bërë me Aleksandrin dhe plaçkave që kishte marrë atje, më tha: “Dieten e kishim të vogël për të marrë ato gjëra.
Por se si i ka marrë Aleksandri unë nuk di gjë. Por di vetëm një gjë që shokët e ambasadës, më porositën që të mos shoqëroheshim shumë me përkthyesin i cili, quhej Ilia, dhe s’ma merr mëndja që ky ti ketë dhënë para atij”.
“Studenti”
Detyrë: Bashkpunëtori u porosit që të takohej përsëri me Aleksandër Kondon me qëllim që të thellojë më tepër bisedën e zhvilluar me të, sidomos rreth lekëve që ka marrë nga bullgari ashtu edhe nga përkthyesi.
Sqarimi: Sipas bashkpunëtorit Aleksandër Kondo, është ushtar në Gardën e RPSSH, dhe njëkohësisht është sportist në klubin “Dinamo”.
Masat operative: E dhëna të shtypet dhe ti kalojë Degës së 8 në Ministri, meqënë se klubin “Dinamo” e ka objekt pune. Me qëllim që këtë të dhënë, ta vlerësojë e ta përdori sipas interesit operativ që do të ketë, dhe një kopje Drejtorisë së II-të.
Puntori Operativ
R.I.
Dega e 8
Të vërtetohet me P.O. kjo e dhënë.
Të marrë nga dogana çfarë ka sjellë ky.
Të vërtetohet që i ka zhdoganuar.
Të njoftohet Dega e II-të.
Informova shokun ministër
29.12.1981
Raport-informacion i shoqëruesit të ekipit të peshëngritjes, lidhur me Aleksandër Kondon, gjatë aktivitetit që u zhvillua në Rumani, në nëntor 1981
Sekret
Ekzemplar i vetëm
Tiranë më 29.12.1981
Shënim:
Pashë raportin e b.p. “Studenti” datë 14.12.1981 që jep për Aleksandër Kondon. Për këtë sqaroj sa vijon:
Në datën 18.11.1981 që ekipi jonë i peshëngritjes, arriti në Bukuresht, dy rumunë të federatës na pritën në aeroport, dhe mbasi na dhanë darkë në një restorant, rreth orës 21.00 na kanë çuar në stacionin e trenit prej ku jemi nisur të pashoqëruar nga asnjë person për në qytetin e Bistricës. Kemi arritur në mëngjesin e datës 19.11.1981.
Jemi stabilizuar për fjetje në hotelin e atij qyteti. Në këtë hotel, u stabilizuan për fjetje dhe ekipet e tjera, si ato bullgare, rumune, jugosllave, greke, dhe turke. Në këtë hotel, komisioni i federatës rumune, bënte edhe kontrollin mjekësor dhe peshëmatjen e sportistëve përpara se të niste gara. Në këto kushte, nuk përjashtohet mundësia që sportistët tanë të kenë parë lëvizjet nëpër hotel, të sportistëve të tjerë, si dhe të kenë marrë ndonjë kontakt me ta.
Në datën 19.11.1981 rreth orës 14.00 erdhi në hotel në Bistrita shoqëruesi dhe përkthyesi, që na ishte caktuar nga federata, Ilia Muzaka, me origjinë shqiptare dhe që banonte në Bukuresht. Brenda kësaj dite shoqëruesi nuk ka pasur mundësi të njihet me sportistët tonë, jo më të shoqërohej me ta. Në datat 20 dhe 21.11.1981 që u zhvilluan garat, ditët qenë shumë të ngarkuara dhe si rezultat, sportistët tanë ishin shumë të angazhuar me garat.
Këta shoqëroheshin në çdo vend nga trajnerët e tyre, për shkak të rezultateve që kërkonin të arrinin. Ndërsa shoqëruesi Ilia, nuk lëvizte nga vendi ku zhvilloheshin garat. Pra mendoj se nuk ka pasur mundësi që të qëndronin vetëm për vetëm shoqëruesi Ilia dhe Aleksandër Kondo. Nga ana tjetër shoqëruesi nuk kishte automjet në dispozicion. Në datën 22.11.1981 ekipi jonë qe i lirë dhe rreth orës 10.00 para dreke me grupe kanë dalë shëtitje nëpër qytetin e Bistritës. Mbas dreke u dha një koncert ku shkuam të gjithë së bashku.
Në orën 20.00 jemi nisur për në stacionin e trenit prej ku natën kemi ikur për në Bukuresht. Në tren sportistët kanë qëndruar nga 3-4 veta. Mbasi arritëm në Bukuresht në mëngjesin e datës 23.11.1981 tek stacioni i trenit, jemi ndarë nga shoqëruesi Ilia dhe deri sa jemi nisur për në Tiranë, nuk e kemi parë asnjëherë tjetër atë njeri. Ekipi jonë në Bukuresht u vendos me banim në një hotel të qytetit, ku nuk ishin asnjë nga ekipet e tjera pasi ato u shpërndanë. Në datën 23 dhe 24.11.1981 që qëndruam në Bukuresht shokët e ekipit, janë ndarë në tre grupe dhe kanë dalë shëtitje për të shpenzuar dietën.
Përsa i përket dietës ajo qe e vogël por megjithatë, sendet që pretendohen se janë blerë nga Aleksandri, mund të bliheshin pasi në përgjithësi xhakoventat që blenë disa sportistë kushtonin 108 lei. Dhe nëse trikot golf që ka blerë Aleksandri, ishin të pambukta ose fëmijësh. Gjatë shoqërimit të ekipit neve, nuk kemi konstatuar ndonjë lëvizje vetëm të Aleksandrit as edhe ndonjë shoqërim të veçantë me Ilian, ose me anëtarë të ekipeve të tjera. Mbasi u kthyem në Bukuresht ambasadori, i tha ekipit se Ilia ishte njeri jo i mirë.
Shoqëruesi i ekipit
Xh. M.
Raporti i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, lidhur me preparatet e dopingut që peshëngritësit e ekipit kombëtar kishin përdorur para garave
SEKRET
Ekzemplar i vetëm
Tiranë më 14.4.1983
SHËNIM – OPERATIV
Në vazhdim të verifikimit e të sinjalizimit, mbi përdorimin nga ana e peshëngritësave të ekipit kombëtar të lëndëve stimuluese (preparate dopingu) sot u takova me mjekun e Institutit të Fizkulturës M.K. i cili më tha: “Përpara disa ditëve u bë një mbledhje ku u diskutua rreth aktivitetit të fundit të peshëngritjes, ku pati shumë thyerje rekordesh e rezultate të larta.
Në këtë mbledhje mjeku nga Korca që është njëkohësisht dhe peshëngritës I.S., shfaqi shqetësimin se disa peshëngritës që thyen shumë rekorde kombëtare, kanë përdorur stimulues të tipit Anabolizant. Po kështu edhe peshëngritësi F.K. tha se këto kanë përdorur stimulues dhe se nuk ka mundësi që të arrihen në mënyrë të menjëhershme këto rezultate.
Kjo gjë tha M.K., nuk u thellua dhe nuk u kërkuan shpjegime se ku e mbështesnin ata, këtë konkluzion. Ai tha se duke i parë në kompleks, dyshimet e këtyre dy shokëve, rezultatet e larta të disa peshëngritësave dhe shtrimin pas garave të sportistit A.H. në spital shoqëruar kjo me të vjella dhe dhimbje barku, pyetja që më bëri mua sportisti A.B. se cfarë efektesh ka Anabofarma, insistimi i kryetarit të sporteve të rënda dhe i sportistëve për të mos patur mjekë për kontrollin e tyre, më shtyu drejt mendimit se mund të jenë përdorur stimulues.
Këto stimulues mund të jenë përdorur dhe herë tjetër. M.K. shtoi se këto preparate me efekte stimulimi, gjëndjen edhe në farmacitë tona të cilat janë: Anabofarma, Dianaboli, Testosteroni, dhe të tjera nga këto familje. Këto ndikojnë në hormonet e trupit dhe kanë veti që përkohësisht të shtojnë aftësinë fizike. Më vonë këto ndikojnë negativisht mbi organizimin e sportistit dhe ndalohen me ligj për t’u përdorur.
Puntori Operativ
H.Ç.
Shënim
Çështja është me rëndësi e duhet vepruar shpejt. Por më jepni më tepër kohë ti vërtetoj këto që po thuhen. Informoni Degën e 8 e cila duhet të interesohet se ç’thotë agjentura.
15.4.1983
Shënimi i Punëtorit Operativ lidhur me bisedat që kishte bërë Aleksandër Kondo me njerzit që e ndiqnin dhe survejonin
“Sekret”
Ekzemplar i vetëm
Tiranë më 9.4.1983
Shënim operativ
Në bisedën që pata sot më datë 9.4.1983 ora 13.00 me qytetarin F.S. me punë në Klubin Sportiv “Dinamo” ky i fundit më tha mua që në një bisedë që kishte zhvilluar me V.D. mësues i edukimit fizik e ushtarak në shkollën e mesme P.N. Luarasi ai i tha: “Në takimin kombëtar të peshëngritjes që u zhvillua para disa kohësh në Tiranë, peshëngritësit Aleksandër Kondo dhe A.H. të KS “Dinamo” thyen rekordet kombëtare me nga 25 kg.
Kur qytetari F.S. i kishte thënë se si ka mundësi që këto rekorde të thyen kaq shumë V.D. i ishte përgjigjur se Aleksandër Kondo dhe A.H. kur kanë qënë vjet në Turqi për një takim miqësor, kanë blerë disa preparate dopingu dhe tani në kampionat i përdorën. Prandaj dhe kjo është arsyeja që këta e thyen rekordin. Në vazhdim ai i deklaroi se këta, pasi thyen rekordet kërkuan me insistim që të vazhdonin garat për thyerje të mëtejshme edhe me nga 10 kg.
Këtë e bënin me qëllim se dopingu që kishin përdorur, afatin e përdorimit e kishte për një kohë të shkurtër. Në vazhdim V.D. i tha F.S. se, këtë gjë e kishte marrë vesh peshëngritësi tjetër M.H. dhe ky i ishte shprehur atij me nervozizëm se do ta bëj dhe unë tani këtë veprim kur të iki në Turqi, do t’i blej dhe do t’i pij me grushta. Mjafton që të thyej rekordet e smë bën përshtypje nëse vdes apo dëmtoj shëndetin.
Puntori Operativ
H.Ç.
SEKRET
Ekzemplar i vetëm
Tiranë më 14.4.1983
SH Ë N I M O P E R A T I V
Në bisedën që bëra me kryegjyqtarin e garave të fundit të peshëngritjes, shokun B.K. me punë arsimtar në shkollën “8 Marsi” mësova si më poshtë: “Rezultatet e larta janë rrjedhim logjik i arritjeve në procesin stërvitor”.
Më datën 14.4.1983 B.K. më erdhi në drejtori e më tha: “Kam mendimin se peshëngritësi i Partizanit G.N., përdor stimulues, dhe këto ia jep trajneri i tij H.A., i cili i merr te një farmacist në Tiranë.
Kjo duket në rezultatet e tij të dobta të vazhdueshme, ndërsa sa herë bëhen grumbullime për të dalë jashtë shtetit, ai ngre shumë më tepër nga mesatarja e tij megjithëse është në një moshë shumë të madhe rreth 40 vjec”. /Memorie.al
Puntori Operativ
H.Ç.
Vijon në numrin e ardhshëm