Fatbardh Kadilli, i cili u rendit i fundit në garën për kreun e Partisë Demokratike ka pranuar humbjen përballë Lulzim Bashës. Në një deklaratë për mediat, Kadilli tha se do ta vazhdojë projektin e tij për ringritjen e PD, duke mos hequr dorë.
Ai thotë se nuk do të dorëzohet dhe projektin e tij do ta shpalosë tek të gjitha institucionet e partisë, në mënyrë që siç u shpreh ai ky manifest të bëhet ligj, madje nuk përjashtoi mundësinë që të thërrasë edhe një referendum.
“Unë nuk jam Luli, unë e pranoj rezultatin. Manifesti politik për ringritjen e PD është projekti kryesor që demokratët kanë përpara. Me këtë manifest PD mund të ringrihet. Unë nuk iki, unë nuk dorëzohen, nuk krijoj parti të re, por do shpalos me këmbëngulje këtë projekt ë ri. Vetëm kështu shqiptaret do të kenë një parti të tyre dhe politike bëhet frymëzim për qytetarin.
Unë do të vazhdoj komunikimin intensiv me demokratët. Basha do të njihet me këtë platformë. Unë kam arritur ta përcjell si mesazh, si ide dhe projekt të ri. Ky projekt kishte propozime konkrete dhe con në një ndryshim rrënjësor të kësaj partie.
Jam i bindur që të gjithë demokratët do ta mbështesin dhe unë do ti drejtohem çdo instrument që ky të bëhet ligj në partinë tonë”, tha Kadilli.
Ai thotë se nuk e ka uruar Lulzim Bashën për fitore, pasi gara ishte e pabarabartë.
“Kjo garë është e pabarabartë, në këto kushte nuk mund ta uroj. Do ta uroja nëse do të dilte fitues nga një garë e barabartë. Në këtë parti Luli më ka gjetur dhe do më lërë prapa. Në parti vijmë sepse kemi ide, bindje dhe interesa të përafërta” u shpreh Kadilli.