Në kuadër të përgatitjes së Zgjedhjeve Lokale në Kosovë, që do të mbahen më 17 tetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë sot vendimin për fushatën zgjedhore. Sipas KQZ-së, fushata do të nisë më 16 shtator dhe përfundon më 15 tetor. Në këtë plan operacional, janë të listuara të gjitha aktivitetet zgjedhore, të cilat do të realizohen për përgatitjen e zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale
“Duke filluar nga dita e sotme dhe deri më 16 gusht, subjektet politike kanë afat për të paraqitur aplikimin e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjeve dhe dorëzimin e emrave të kandidatëve. Pas përmbylljes së procesit të certifikimit dhe tërheqjes së shortit, është paraparë fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët. Kjo fushatë është 30 ditore, sepse kështu parashihet në ligj. Fushata zgjedhore fillon më 16 shtator dhe përfundon më 15 tetor”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, sipas këtij plani, 40 ditë është afati për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës (10 korrik – 18 gusht), ndërsa periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 31 ditë (15 shtator – 15 tetor).