Policia greke ka arrestuar dy shqiptarë, pasi akuzohen se kanë përdhunuar një vajzë 19 vjeçe me origjinë po shqiptare, për tre ditë me radhë në Athinë.
Mediat shkruajnë se ata fillimisht u njohën përmes rrjeteve sociale dhe pas disa bisedash të vazhdueshme ata vendosën të takoheshin.
Mësohet se dy 20-vjeçarët, pasi janë takuar me të, arritën të fusnin 19-vjeçaren në një shtëpi të marrë me qira, ku dhe e kanë përdhunuar për tre ditë me radhë, më pas e kanë nxjerrë nga banesa dhe e kanë braktisur diku afër portit të Pireut.
Pas këtij akti, 20-vjeçarët kanë vendosur të marrin tragetin për t’u nisur me pushime drejt ishullit të Mykonos.
Menjëherë, policia e Athinës në koordinim të plotë me një njësi të autoritetit portual të ishullit, arritën të identifikonin dhe të prangosnin dy shqiptarët.
Ata do transportohen drejt Athinës për t’u përballur në prokurori me akuzat e ngritura ndaj tyre.
Dy shqiptarët u takuan me vajzën ditën e mërkurë, pasi ata ishin njohur më parë nëpërmjet rrjetit social Facebook.
Vajza pretendon se dy shqiptarët i hodhën diçka në pije për t’i dobësuar rezistencën, ku sipas saj, duke përfituar nga kjo gjendje, ata arritën ta merrnin atë në banesë ku dhe e përdhunuan më pas për tre ditë me radhë.