Shqiptari me pasaportë amerikane, Marin Jano, i cili mbeti aksidentalisht i plagosur pak ditë më parë në Sarandë, në ngjarjen ku u qëllua me breshëri automatiku në drejtim të biznesmenit Spiro Iljadhi, në ‘Orange Club”, ka rrëfyer të gjithë zanafillën e ngjarjes.
Në një prononcim për Panorama, Jano ka treguar se atë natë kishte dalë të shëtiste me të dashurën e tij, por e ka gjetur veten krejt papritur në një shkëmbin zjarri, si në një film aksion. Ai shprehet ndër të tjera se ka pritur pa fund që të mbërrijë Urgjenca, e cila nuk ka dënjuar as t’i hapë telefonin fillimisht.
Pas një ore shtrim në spitalin e Sarandës, Jano tregon se është nisur drejt Tiranës për t’i hequr plumbim, por trajtimi nga ana e mjekëve nuk ka qenë aspak i denjë për të. Ai tregon se edhe kur ka kërkuar të përdorë tualetin e stafit, pasi ai që ishte vënë në dispozicion për pacientët, përgjigjia që ka marrë ka qenë: Pse mër çun m**** tat pastroj unë?!
E ndërsa mjeku ishte bezdisur nga pyetjet e shumta të turistit, saqë në një moment i ka thënë: Do rrish urtë apo ta lë fare? Ik në vend tjetër po deshe dhe bej analizat e operacionin!
RRËFIMI I PLOTË I TË PLAGOSURIT MARIN JANO
Kam patur gjithmonë një respekt e vlerësim të madh për punën e mjekëve e të infermierëve, të cilët kanë në dorë shëndetin dhe jetën tone. Unë vetë kam në familje një prej njerëzve me te dashur, gjyshen, e cila ka qene mjeke dhe ka nxjerrë përgjatë më shumë se 30 vjetëve me mijëra mjekë si pedagoge ne Fakultetin e Mjekësisë (pa harruar dhe një njeri tjetër të afërt timin, që është aktualisht mjek). Ne momentet kur humanizmi i tyre, ndershmeria, profesionalizmi, serioziteti është vënë ne diskutim, i kam mbrojtur me vendosmëri duke patur parasysh, me sa duket, modelet e gjalla te mjekeve qe kam ne familjen time. Por, pas asaj që më ndodhi fundjavën e kaluar, ku m’u desh te përballesha drejtpërdrejt me shërbimin tonë mjekësor, gjithçka m’u përmbys.
Kisha vendosur ta lija vapën mbytëse të Tiranës për të kaluar nja dy dit në bregdetin e bukur të Sarandës. Duke u gdhirë 20 qershori, teksa po dilja bashkë me të dashurën nga një lokal i njohur në qendër të qytetit, u ndodhëm sa hap e mbyll sytë në mes të një shkëmbimi zjarri me pistoleta e kallashnikovë. Një skenë që vetëm nëpër filma aksion e kisha parë. U shtrimë menjëherë në tokë dhe, duke tentuar të futeshim poshtë një makine për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave, u plagosa në pjesën e fundshpines. Ashtu i plagosur e duke u zvarritur u riktheva në lokal për t’i ikur më të keqes e për të kërkuar ndihmë.
Meqenëse askush nga klientët e lokalit, por dhe ata të shërbimit nuk m’u afruan, kujtoj t’i kem telefonuar vetë 2-3 herë urgjencës (112) dhe policisë (129). Urgjenca fillimisht nuk m’u përgjigj në telefon, kurse policia po. Ndërkohe që gjaku rridhte e nuk dinte të mbaronte, duke shtypur plagën fort me dorë për të ndaluar hemorragjinë e teksa mundohesha të ruaja qetësinë, vazhdoja t’i bija numrit të urgjencës. Dikur u përgjigjën e, ndërsa operatori me thoshte se ambulanca po vjen menjëherë, ajo nuk dukej e as dëgjohej kurrkund.
Kaluan kështu mes ankthit e frikës gati 20 minuta, por ambulanca, sa isha aty, nuk erdhi kurrë. Sic më thane më pas, distanca mes vendit ku unë gjendesha, dhe spitalit s’ishte as 5 minuta larg me makinë. Dola atëherë përsëri jashtë lokalit, ku u gjendën dy djem trima, njeri prej të cilëve taksist, që më mori e me dërgoi me urgjencë në spital.
Në gjendje shoku e me forcat që po më linin, kujtoj, megjithatë, që me shtruan ne dhomën e urgjencës, ku nisën të më bënin serume, inxheksione dhe më pas një skaner. Pas gati një ore me konfirmuan se isha plagosur me arme zjarri dhe duhet te nisesha me urgjence ne Tirane për te kryer një ndërhyrje kirurgjikale për të hequr plumbin, që më ishte futur rreth 10 cm ne trup. Me të mbërritur në spitalin e Tiranës, përsëri skaner e më pas 3 orë në pritje të operacionit.
Ndërkohë qe prisja, fillova te pyesja mjekun për gjithçka më shqetësonte lidhur me shëndetin, me jetën time, me operacionin. Pas gjithë asaj që kishte ndodhur, isha i traumatizuar. Mjeku, me sa duket, u bezdis shume nga pyetjet e mia, saqë në një moment m’u kthye: “ Do rrish urtë apo ta lë fare? Ik në vend tjetër po deshe dhe bej analizat e operacionin”. U shtanga, pasi nuk e prisja një përgjigje te tille. Kujtoj që i thashë: “ Doktor, mundohu të tregohesh pak empatik dhe të me kuptosh! Vere veten ne pozitën time për një moment!“. Fjalët e mija ranë në vesh të shurdhër. Me mire te mos flisja fare dhe te gjithë frikën, presionin, ankthin ta mbaja përbrenda. Atë bëra, në fakt, e qepa gojën, s’fola me dhe prita deri sa më futën në sallë pas tre orësh. Operacioni shkoi mire dhe plumbi u hoq.
Aty nga pasditja me çuan ne një dhomë në repartin e kirurgjisë, në katin e fundit, nën një terracë përvëluese, mes dritaresh e dyersh të hapura kanat, ku nuk gjeje një kondicioner për be. Në atë nxehtësi sahariane ndejta 2 net e 3 dite. Gjate kësaj kohe mjeku kaloi nga dhoma ku isha shtruar, vetëm një here për pak sekonda dhe në këmbë. Një here tjetër komunikuam ne dhomën, ku ai rrinte, ku kisha shkuar t’i kërkoja disa dokumenta, me idenë për t’u transferuar ne një spital privat. “Unë t’i jap letrat, por herë tjetër ik direkt ne spital privat e mos hajde te operohesh këtu”, më tha gjithë nervozizëm.
Ngela pa gojë. Te gjithë e dimë se, kur aksidentohesh, kur plagosesh me arme zjarri, me thike, nuk ka asnjë spital privat që te merr përsipër, pasi te tilla ndërhyrje kryhen vetëm ne spitalet shtetërore të specializuara. Gjithsesi, mjeku që këtë gjë e dinte, nuk hezitoi te ma thoshte. Sa për infermjeret, fytyrat e tyre te ngrysura e indiferente binin në sy që larg. Punën e bënin, por e bënin sikur u kishe ndonjë borxh. Të dukej sikur i kishin sjellë me zor në atë punë. Kurrfarë përkujdesi të natyrshëm, devocioni, empatie, mirësjelljeje. Kulmi arriti natën e pare pas operacionit, kur njërës prej tyre i kërkova të përdorja vetëm për një here tualetin e stafit, pasi ai në dispozicionin tone si pacientë kishte probleme. Por përgjigjja qe mora, ishte: “Pse mër çun m**** tat do pastroj unë?! Shko përdor banjon tate” .
Ngela pa fjale dhe ika kokulur, pa thënë gjysmë fjale. Në atë mori infermierësh dallonin, për fat, edhe nja dy, një grua dhe një burrë, rreth të pesëdhjetave, qe ishin si nata me ditën me të tjerët. Profesionalizmi i tyre, kujdesi, përkushtimi, ishin te pashoq. Pyetjeve e shqetësimeve qe kisha, u përgjigjeshin pa hezitim e pa kurrfarë shenje bezdisjeje e përtese. Njerëz të tillë të mbajnë shpresën e besimin gjallë se njerëzillëku e profesionalizmi nuk janë varrosur përfundimisht në këtë vend.
Pas 3 ditësh, që m’u dukën si 3 vjet, qëndrimit tim ne spital i erdhi fundi. Shkova te takoja mjekun e të merrja anamnezën bashkë me këshillat dhe mjekimin, që do të vazhdoja në shtëpi. Meqenëse ai thjesht më zgjati letrën ku kish shkruar gjithçka lidhej me mua, tentova të komunikoja duke i bërë disa pyetje. Përsëri e shfaqi hapur bezdinë, edhe pse me kthehu përgjigje, natyrisht ne mënyrën e tij. “Faleminderit, doktor”, i thashë dhe bëra të largohesha, kur zëri i tij me ndali: “Me fal, a ta boj dhe unë i pyetje?”. “Po, patjetër, doktor”, iu përgjigja habitur. “A ke mo pytje”, ma ktheu me një nënqeshje ironike. “Jo, nuk kam me pyetje, doktor”, ia ktheva dhe u largova.
Të njohur e miq te familjes më thonë: “Hë, se filani e ka gojën e hidhur, po si mjek është shumë i zoti”. Mendoj se te jesh mjek, mbi te gjitha duhet te jesh i sjellshëm, i komunikueshëm, njerëzor, empatik. Përndryshe e bën pacientin të ndihet si viçi i radhës te kasapi, ashtu siç u ndjeva dhe unë.
Spiro Iljadhi, pronari i “Bar Orange” dhe “Orange Club” u qëllua me breshëri plumbash, dy ditë më parë, pas një sherri në klubin e tij. Dy vëllezërit Andrea dhe Visi Caushi, si dhe Redjan Hadëraj, zbrazën rreth 20 plumba drejt tij, duke e lënë të plagosur rëndë. Për ngjarjen është vënë në pranga, Hadëraj, por edhe vetë Iljadhi është vënë në pranga, pasi ka qëlluar me armë zjarri ndaj personave me të cilët u përplas. Zanafilla e sherrit ka qenë urdhri i Iljadhit për të nxjerrë tre të rinjtë nga klubi i tij.