Dy të rinj, një 35-vjeçar italian dhe një 23-vjeçar shqiptar janë dhunuar nga disa persona të tjerë në parkingun e një qendre tregtare.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur mesnatën e kaluar në Mantova, ndërsa të plagosurit ndodhen në spital në gjendje tepër të rëndë shëndetësore.
Të plagosur kanë mbetur shqiptari Atilio Ndreka dhe italiani Francesco Ferrari.
Nga hetimet rezulton se sulmi ka qenë i organizuar nga një grup personash që dyshohet se janë me origjinë shqiptare dhe u kishin bërë pritë të rinjve.
SI KA NDODHUR SULMI
Njëri nga personat e plagosur është kontaktuar me telefon dhe ka dalë në takim. Më pas ka shkuar edhe personi i dytë. Të dy të rinjtë u ndoqën dhe u rrahën në mënyrë brutale me shkopa bejsbolli, shishe dhe sende të tjera të forta.
Ka qenë një qytetar i rastit, që ka njoftuar policinë, e cila u ka ardhur në ndihmë.
TË PLAGOSURIT
Dy personat e plagosur, janë dërguar në spital. I riu me origjinë shqiptare i është nënshtruar dy operacioneve, por sic raportojnë mediat italiane gjendja e tij është kritike. Edhe i plagosuri italian është nën kujdesin e mjekëve.
HETIMET
Autoritetet janë vënë në kërkim të autorëve të kësaj ngjarje të rëndë. Po ashtu për të hedhur dritë mbi të vërtetën janë sekuestruar telefonat e të plagosurve dhe kamerat e sigurisë pranë vendit ku ndodhi sulmi ndaj dy të rinjve.