Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimet e qeverisë për prishjen e Teatrit Kombëtar, Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë së Posaçme, SPAK “të arrestojë menjëherë Erion Veliajn”.
Në një reagim për mediat, deputetja e zgjedhur Albana Vokshi u shpreh: “Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe sot SPAK duhet ta tregojë këtë duke arrestuar menjëherë Erion Veliaj, autorin dhe përgjegjësin direkt të shembjes së Teatrit, i cili ka shpërdoruar detyrën dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit ka shkatërruar një pasuri kombëtare”.
Sipas Vokshit, “shpallja antikushtetuese e ligjit për ndërtimin e teatrit me PPP, që grabiste pronën publike, dhe vendimi për kalimin e Teatrit nga Ministria e Kulturës te Bashkia bën nul çdo vendimmarrje të Këshillit Bashkiak dhe Erion Veliajt mbi një pronë që nuk ju takon. Ky vendim është i paligjshëm”.
Kujtojmë që Gjykata vendosi pezullimin e ndërtimit të godinës së teatrit të ri kombëtar deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Kushtetueses.
DEKLARATA E PLOTË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI
Partia Demokratike përshëndet vendimin e fundit të Gjykates Kushtetuese! Ky vendim dëshmon edhe një herë sa të drejta kanë qenë shqetesimet e vazhdueshme të PD për dhjetëra ligjet e vendimet antikushtetuese që ka miratuar e implementuar kjo qeveri në mugesë të Gjykatës Kushtetuese.
Sa të drejta kushtetuese të shkelura, të mohuara, të nëpërkëmbura, nga një qeverisje që ka vepruar si bandë plackitëse për llogari të oligarkëve e bërë palë me krimin.
Sot është më e qartë se kurrë, se pikërisht në mungesë të Kushtetueses, regjimi ndërmori një revansh të ashpër ndaj shtetit të së drejtës. Ky revansh është edhe një nga arsyet e krizës politike që prej vitesh regjim ka nxitur në jetën e vendit dhe që masakra zgjedhore e 25 prillit nuk zgjidhi dot.
Shpallja ANTIKUSHTETESE e ligjit për ndërtimin e teatrit me PPP, që grabiste pronën publike, dhe vendimi për kalimin e Teatrit nga Ministria e Kukturës te Bashkia bën nul çdo vendimmarrje të Këshillit Bashkiak dhe Erion Veliajt mbi një pronë që nuk ju takon. Ky vendim është i paligjshëm.
Sot të gjithë e dinë se cilët janë barbarët që shkatërruan një vlerë historike dhe shpirtërore të kombit. Sot të gjithë e dinë se beteja disa vjecare të Aleancës për Mbrojtjen Teatrin, e Partisë Demokratike dhe qytetarëve që i dolën në mbrojtje godinës ishte e drejtë!
Ajo betejë nuk ishte vetëm për Teatrin Kombëtar, si një vlerë e çmuar e trashëgimisë kulturore, për historinë e arkitekturës, për vlerat shumëplanëshe politike, historike, artistike, kulturore.
Jo, kauza e teatrit ishte shumë më shumë se kaq!
Ajo ishte dhe mbetet një kauzë në mbrojtje të ligjit themelor që na mban bashkë si shqiptarë, Kushtetutës, një kauzë në mbrojtje të demokracisë.
Pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Partia Demokratike i kërkon SPAK të ngrihet në lartësinë e pritshmërive të qytetatëve shqiptarë dhe të nxjerrë nga sirtarët kallzimin e PD për shembjen e TK.
Gjykata Kushtetuese foli qartë dje se çdo vendimmarje për Teatrin Kombëtar ka qenë antikushtetuese ndaj kushdo që është kapur në flagrancë për korrupsion aktiv dhe për dëmin financiar miliona euro, të shkaktuar nga prishja e Teatrit Kombëtar, kushdo që ka abuzuar me pushtetin, duke filluar nga Edi Rama e Erjon Veliaj, çdo nënpunës në administratë që është bërë pjesë e vendimmarrjes antikushtetuese e antiligjore, çdo punonjës policie që u përfshi në aktin e dhunës së shembjes barbare, duhet të përgjigjet para drejtësisë.
Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe sot SPAK duhet ta tregojë këtë duke arrestuar menjëherë Erion Veliaj, autorin dhe përgjegjësin direkt të shembjes së Teatrit, i cili ka shpërdoruar detyrën dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit ka shkatërruar një pasuri kombëtare.
Qytetarët shqiptarë duan drejtësi, qytetarët shqiptarë meritojnë drejtësi, prandaj krimi shtetëror i kryer nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj, i provuar nga trupa gjyqësore e Kushtetueses, duhet të ndëshkohet një orë e më parë.
PD konfirmon sërish mbështetjen e pakushtëzuar ndaj kauzës për rikthimin e Teatrit në identitetin e tij origjinal. Kjo kauzë kombëtare, ka në themel mbrojtjen e vlerave të artit, kulturës, trashëgimisë, qytetarisë dhe demokracisë, të cilat janë dëmtuar rëndë nga regjimi i pakicës, që më 25 prill vodhi shpresën e shqiptarëve për ndryshim.
Me shembullin e kësaj qëndrese, Partia Demokratike është e vendosur që bashkë me shumicën e shqiptarëve, t’i shkojë deri në fund betejës më të madhe, betejës patriotike për ti kthyer Shqipërisë dinjitetin e një vendi të lirë demokratik, për t’ë kthyer përsëri shpresën në zemrat e shqiptarëve.