Elseid Hysaj ka nisur grumbullimin me skuadrën e tij të re, Lazion, ku ribashkohet sërish me trajnerin Maurizio Sarri, pas eksperiencave të mëparshme te Empoli e Napoli
Mbrojtësi shkodran i kombëtares shqiptare u transferua te Lazio si futbollist i lirë dhe ndonëse nuk është prezantuar ende zyrtarisht nga bardhekaltrit, ka vendosur të përshëndetet me klubin dhe tifozët e Napolit, ku luajti e jetoi për 6 vite.
Nëpërmjet një letre të postuar në rrjetet sociale, Hysaj ka falënderuar të gjithë njerëzit me të cilët punoi gjatë 6 sezoneve te Napoli, si dhe tifozërinë e skuadrës, teksa preferoi që ta quajë largimin e tij thjesht një mirupafshim, jo lamtumirë.
“Napoli, pas 6 vitesh së bashku ka ardhur momenti të përshëndetemi, ndonëse nuk mjafton një postim për t’u falënderuar të gjithëve. Dua të falënderoj gjithsesi shokët e mi të skuadrës, drejtuesit e klubit, magazinierët, fizio-terapistët dhe të gjithë njerëzit që kam punuar, apo njohur gjatë eksperiencës time këtu. Një falënderim special shkon për ju tifozët e qytetit, që më keni bërë të ndihem si në shtëpinë time. Ka qenë krenari për mua të vesh fanellën e Napolit dhe kam dhënë gjithmonë shpirtin në fushë, për të nderuar dhe djersitur atë bluzë, ndaj më vjen keq që golin tim të vetëm, nuk pata mundësi ta festoj me ju në shkallët e stadiumit. Largimi im nuk është një lamtumirë, por një mirupafshim, pasi siç thotë shprehja e famshme: Kur ikën nga Napoli, qan dy herë, kur vjen dhe kur ikën. Është pikërisht kështu, ndaj do ju mbaj gjithmonë në zemër”, tha ndër të tjera Hysaj në letrën e tij drejtuar klubit dhe tifozërisë napolitane.