Nga Red Varaku
Dështimet e njëpasnjëshme të qeverisë shqiptare për të hapur negociatat dhe refuzimi i prerë dhe i vendosur i Europës kundër kësaj qeverie ka prodhuar një gjendje depresioni tek kryeministri shqiptar.
Kjo gjendje depresioni u vu re dukshëm në fjalimin e lodhur të kryeministrit shqiptar në Takimin e Prespës, ku ai sulmoi Europën me një gjuhë halabakësh dhe aspak të denjë për kryeministrin e popullit më të varfër në Europë.
Në vend që të reflektojë mbi arsyet e vërteta të refuzimit, të cilat lidhen drejtëpërdrejtë me degradimin e demokracisë, përmes manipulimit të zgjedhjeve që ishin dhe kryekushti për hapjen e negociatave ,ai akuzon pabesisht Europën për dështim.
Në vend që të shtojë përpjekjet për të arritur standartet demokratike që kërkon Europa, ai ka vendosur t’i përgjigjet këtij refuzimi me kthimin e timonit të Shqipërisë drejt Minijugosllavisë ose siç quhet ndryshe Minischengen ballkanik, një projekt i Aleksandër Vuçiç për të krijuar një hapësirë të pavarur rajonale jashtë kontrollit dhe mbikqyrjes Europiane, duke sfiduar Procesin e Berlinit dhe duke ndalur përpjekjet për reformim, rrjedhimisht dhe për integrim.
Procesi i integrimit ka qenë deri tani i vetmi mekanizëm presioni që Perëndimi ka ushtruar për korrigjimin dhe reformimin e sistemit tonë të kalbur politik. Ndërkohë , projekti i integrimit në BE, është projekti ynë më i madh kombëtar dhe e ka zanafillën tek rrënjët e egzistencës tonë kombëtare.
Dalja nga ky proces është kërcënimi më i madh që i bëhet demokracisë së brishtë shqiptare dhe paralajmëron degradimin edhe më tej të demokracisë dhe sistemit politik shqiptar, sepse i kemi të freskëta pasojat e largimit nga projekti europian të cilat i vuajtëm në kurriz për 45 vjet.
Kësisoj, për herë të parë pas tridhjetë vjetësh pluralizëm kemi të njëjtin formacion politik, i cili tenton sërish një aventurë të re për kombin shqiptar, braktisjen e projektit europian të kombit shqiptar duke e parë të ardhmen e Shqipërisë jashtë Europës.
Në kuptimin politik kjo është ngjarja më e rëndë politike e këtyre tridhjetë vjetëve, sepse edhe për partitë më të parëndësishme në hapësirën shqiptare, orientimi drejt Perëndimit ka qenë pa asnjë dilemë Europa.
Ky zhvillim i ri në politikën shqiptare është fatal për ëndrrën tonë Perëndimore dhe është një provë e padiskutueshme, që Shqipëria ndodhet sërish në një udhëkryq shumë të rrezikshëm, pasojat e të cilit nga ky moment janë thjesht të paparashikueshme.