Ish-Presidenti George W. Bush e ka cilësuar si gabim tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.
Në një intervistë për Deutsche Welle, George W Bush ka deklaruar se ka frikë për mënyrën se si talibanët do të trajtojnë gratë, fëmijët dhe njerëzit e tjerë të pafajshëm afganë pas tërheqjes së trupave amerikane.
“Kam frikë se gratë dhe vajzat afgane do të pësojnë një dëm të papërshkrueshëm,” ka thënë ish-presidenti.
I pyetur nëse është një gabim të tërheqësh trupat amerikane nga Afganistani Bush ka thënë: “Unë mendoj se është, po, sepse mendoj se pasojat do të jenë tepër të këqija dhe unë jam i trishtuar.”
Në vitin e tij të parë si president, Bush nisi luftën në Afganistan pas sulmeve të 11 shtatorit për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga Talibanët dhe për të synuar al-Kaidën. Ajo u bë lufta më e gjatë e Amerikës.
Presidenti Joe Biden njoftoi në prill se do të tërhiqte trupat amerikane nga vendi dhe tha javën e kaluar se misioni ushtarak amerikan do të mbaronte më 31 gusht.
Por si rezultat, gratë afgane, tha Bush, janë “të frikësuara” dhe ai është i shqetësuar për fatin e njerëzve që ndihmuan trupat e SHBA-së dhe NATO-s gjatë dy dekadave të fundit.