44-vjetori i ekzekutimit të poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi
Firmëtarët e vdekjes
Më 17 korrik mbushen plot 44 vjet nga ekzekutimi i dy poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi. Poetët u ekzekutuan në mesnatë me urdhër të ministrit Kadri Hazbiu. Terroristët e Tiranës. Një ditë më parë, terroristët e Tiranës, Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi kërkesën e tyre për faljen e jetës dhe firmosën që dy poetet Genc Leka e Vilson Blloshmi duhet të vdisnin. Ja dhe proces verbali dhe urdhri i ekzekutimit të ministrit të punëve të Brendshme Kadri Hazbiu:
Procesverbal
I mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor ne datën 16.07.1977, ditë e shtunë, ora 9.00
- në mbledhje marrin pjesë shokët: Haxhi Lleshi (kryetar), Spiro Koleka, Shefqet Peçi (nënkryetarë), Telo Mezini (sekretar), Muharrem Sefa, Naumka Bozo, Nuredin Hoxha, Pilo Peristeri, Rrapo dervishi, Zina Franja, Maliq Sadushi (anëtarë).
- Paraqitet rendi i ditës si vijon:
- Propozime për dekorime,
- Kërkesa për dhënien e shtetësisë shqiptare
- Kërkesë për falje dënimesh
Kryetari: Siç e shikoni, rendin e ditës e kemi më të shkurtër kësaj radhe. Është menduar që të bëhet kjo mbledhje mbasi janë dy të dënuar me vdekje që të mos rrinë kështu këta, as të pushkatuar, as të falur, si do të vendosë presidiumi. Disa shokë janë në pushim prandaj mungojnë. Shoku Shefqet e shoku Pilo erdhën, megjithëse patën pushim. Meqenëse përbëjmë shumicën mund të fillojmë. Në qoftë se jemi dakord me këtë rend dite fillojmë.
Merret në shqyrtim pika e tretë e rendit të ditës:
- Kërkesa për falje dënimesh
Shoku Telo Mezini: janë dy dënime me vdekje:
- Genci Bardho (Feimit) Leka,
- Vilson Sami Blloshmi
Të dy janë nga fshati Bërzeshtë e Librazhdit dhe janë dënuar me vdekje (pushkatim) se në bashkëpunim me njëri – tjetrin krimet e sabotimit ekonomik dhe të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor. Të dy kanë kërkuar faljen e jetës.
Kryetari: Këto familje Leka e Blloshmi kanë qenë armiq edhe gjatë luftës Nacionalçlirimtare. Këta janë armiq të Atdheut dhe të Socializmit.
Genci Bardho (Feimit) Leka,
Vilson Sami Blloshmi
Të dënuar me vdekje (pushkatim) u refuzohet kërkesa për faljen e jetës.
Mbyllet mbledhja,
Tiranë, më 16.7.1977
Sekretari i Presidiumit
Telo Mezini
URDHEROJ:
Të dënuarit Genci Bardho (Feimit) Leka dhe Vilson Sami Blloshmi të ekzekutohen me vdekje (pushkatim) , në vendin e caktuar në datën 17.7.1977, ora 24.00.
Për ekzekutimin e tyre ngarkoj Degën e Punëve të Brendshme Librazhd.
Para se të ekzekutohen të njoftohen të dënuarit se kërkesat e tyre për faljen e jetës janë refuzuar nga presidiumi i Kuvendit Popullor.
Mbas ekzekutimit, i ngarkuari me këtë punë duhet të bëjë procesverbalin e ekzekutimit të vendimit që mban edhe fjalën e fundit të të akuzuarve, i cili i dërgohet Drejtorisë së Hetuesisë.
Ministri i Punëve të Brendshme
Kadri Hazbiu