Mbrëmjen e djeshme pamje apokaliptike të flakëve masive që kishin përfshirë malin mbi tunelin e Kalimashit filluan të qarkullojnë në të gjitha mediat.
Zjarri kishte pushtuar të gjithë sipërfaqen e tokës mbi tunelin ku automjetet vazhdonin qarkullimin.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani autorizoi dërgimin e trupave dhe pajisjeve të FSK-së për ndihmë Shqipërisë në shuarjen e zjarreve.
Trupat dhe pajisjet FSK-së, u vunë menjëherë në dispozicion të autoriteteve shqiptare me qëllim të shuarjes dhe vënies në kontroll të zjarreve.
Menjëherë pasi situata u vu nën kontroll, paraditen e sotme, kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici bëri një deklaratë të çuditshme.
Ai deklaroi në media se zjarri mbi tunelin e Kalimashit ishte neutralizuar para se të mbërrinin forcat ushtarake dhe zjarrfikëset nga Kosova.
Sipas tij zjarri ditën e djeshme në tunelin e Kalimashit u izolua rreth orës 11 të natës. Por një foto e publikuar mbrëmë tregon të kundërtën.
Ishte vetë Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i cili publikoi një fotografi të realizuar mbrëmë, pranë tunelit të Kalimashit, atje ku pati zjarr masiv në majën e Rrunës.
Dhe nga fotografia duket qartë që flakët vijonin të përpinin malin edhe pasi forcat e Kosovës kishin mbërritur. Gazeta Shqip